Një fitore e mundshme me Vllazninë do t’i shtonte ndjeshëm shanset e skuadra myzeqare për mbijetesë. Barazimet e fundit kanë rritur moralin
Arjan Likja
Viti 2018 nuk ka nisur keq për Lushnjën, që ka marrë 2 pikë në 2 ndeshje, duke barazuar me Teutën në Durrës dhe me Luftëtarin në “Roza Haxhiu”. Këto rezultate pozitive tregojnë se skuadra ka forcë të pretendojë më shumë në gjysmën e dytë të sezonit. Nëse verdhejeshilët do të kishin fituar me Luftëtarin të dielën, shanset do të ishin edhe më të mëdha, por duke ditur forcën e këtij kundërshtari, edhe një pikë është e pranueshme. Në fundjavë lushnjarët ndeshen me një rival direkt si Vllaznia dhe vetëm fitorja u bën punë. Barazimet me Teutën dhe Luftëtarin tregojnë qartë se trajneri Dedja dhe djemtë e tij jo vetëm që nuk janë dorëzuar, por po i rrisin shpresat për mbijetesë.
SPAHO – Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, ishte “heroi” i skuadrës në ndeshjen e së dielës me pritjet e tij, që e ruajtën rrjetën të paprekur. “Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Skuadra mbuloi mirë dhe e bllokoi kundërshtarin. Mund të kishim marrë fitoren me rastet e Alushit dhe të Cankës, por nuk shënuam. Ishim të barabartë përballë skuadrës më në formë të kampionatit. Dy barazimet e marra me rifillimin e kampionatit tregojnë që Lushnjën nuk mund ta mundin lehtë, siç mund ta kenë parashikuar. Tani mendojmë për ndeshjen me Vllazninë, që të marrim më tepër, të marrin fitoren, sepse na duhet shumë në këtë moment. Nëse ia dalim, atëherë futemi edhe më bindshëm në garën e qëndrimit në elitën e futbollit shqiptar”, – tha dje për “Sport Ekspres” portieri veteran i skuadrës lushnjare, Spaho.