Sulmuesi i Skënderbeut, Ali Soue, shënoi sërish dhe duket se po e shijon golin, pas atij kundër Partizanit javën e shkuar.
“Jam i kënaqur për golin, por më vjen keq që nuk fituam, pasi luajtëm mirë dhe meritonim më shumë se një pikë. Jam shumë i kënaqur për golat në dy ndeshjet e fundit, për mua ishte shumë e rëndësishme që të zhbllokohesha.
“Penalltia e pretenduar? Më vjen keq, mendoj se ishte penallti rasti ndaj meje. Duhet ende ta shoh të regjistruar, por mendoj se ishte faull. Mëkat që nuk fituam.
“Mënyra e lojës, me shumë vrap, më pëlqen shumë, sepse luaj për skuadrën. Ndonjëherë shpenzoj shumë energji, por kjo është loja ime, kam dëshirë të vrapoj e të punoj sa më shumë gjatë ndeshjes. Natyrisht, edhe këto janë detaje mbi të cilat duhet punuar.
“Që kur kam ardhur këtu, kampionati më është dukur shumë i fortë, fizik. Skënderbeu ka një ekip shumë cilësor dhe më pëlqen si po punojmë. Nëse vazhdojmë kështu, do të marrim rezultate shumë të mira”.