Si zakonisht në ndeshjet e kupave të Europës, siti italian tuttomercatoweb.com analizon ndeshjet e luajtura dhe në lidhje me Dinamo Kiev-Skënderbeu veçon disa gjëra.
Së pari, zhgënjimet, që sipas sitit italian ishin Soue, sulmues i huazuar nga Kievo, dhe pjesa e dytë shqiptare.
“Pritje shumë, shumë më tepër prej tij. Provon të kërkojë hapësirat e duhura, por shpesh e bën në mënyrë sterile, duke mos gjetur sinergjinë e duhur me shokët e repartit. Pjesa e dytë e Skënderbeut ishte shumë e dobët, e fundosur nga eksperienca e madhe në fushën ndërkombëtare e kundërshtarit ukrainas”.
Ndërkaq, ka elozhe për krenarinë shqiptare dhe fillimin e ndeshjes plot vetëbesim: “Me kurajo të madhe, skuadra e Dajës zbriti në fushë për t’u bërë ballë kundërshtarëve ukrainas. Vendosje e mirë në fushë dhe ritëm i lartë, që e çuan Skënderbeun tek avantazhi në pjesën e parë. Dinamo vuajti në pjesën e parë, por u tregua një skuadër solide, e aftë të reagonte pasi pësoi gol me një reagim fantastik pas pushimit. E ndihmoi edhe eurogoli i Sidorçukut, një predhë nga jashtë zone që riktheu baraspeshën në fushë”.