Në “Olimpico” verdhekuqtë do të kërkojnë të mbajnë të pathyeshëm rekordin e tyre nëntëvjeçar ndaj zikaltërve që nuk fitojnë në kryeqytet nga 2008-a
Seria A ka ndezur zyrtarisht “motorët” dhe sonte do të presë edhe ndeshjen më të rëndësishme, të parën e këtij sezoni. Roma-Inter do të luhet sonte, në orën 20:45, në ndeshjen e parë që verdhekuqtë do të zhvillojnë në “Olimpico” për këtë sezon. Në ndeshjen e parë që Luçiano Spaleti do të jetë kundërshtar me ish-ekipin që ka drejtuar, i ulur në stolin e zikaltërve dhe, në ndeshjen e parë në të cilën Françesko Toti nuk do të jetë në fushë, për të konkurruar Ikardin. Një ndeshje, në të cilën VAR-i do të jetë “kryefjala”, pasi debatet dhe moviola kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë protagoniste në këtë përballje.
SUPERNDESHJA – Interi dhe Roma vijnë nga një verë përgjithësisht të qetë për zikaltërit, por të mbushur me lëvizje nga ana e verdhekuqve. Ardhja e Monçit në krye të skuadrës romane ka sjellë edhe largimet e Salah, Rydiger, apo edhe shumë të tjerëve, teksa nga ana tjetër, Sabatini – edhe ky një ish i Romës – së bashku me Auzilion, kanë arritur të çojnë në fund disa operacione të tipit “Kanselo”, apo “Dalbert”. Dhe “sharra” në gozhdë të dyja skuadrave u ka mbetur te Patrik Shik, teksa edhe për të do të jetë një duel më vete të paktën deri sa të vendoset se ku do të shkojë ai. Një ndeshje që, edhe pse do është shumë herët për të vendosur diçka, përsëri do të tregojë gjendjen reale në të cilën ndodhen të dy skuadrat. Roma vjen nga një fitore minimale, ndaj Atalantës, në transfertë, ku ka marrë 3 pikët vetëm falë Kolarov, ndërsa zikaltërit ndodhen momentalisht në vend të parë, me fitoren 3-0 ndaj Fiorentinës.
STATISTIKAT – Një superduel që, pavarësisht gjendjes aktuale, ka në mes kapriçon e shifrave. Kështu, Roma është e vetmja skuadër që i ka shënuar më shumë gola Interit në Serinë A (217), teksa, zikaltërit për të gjetur një fitore në “Olimpico” duhet të hapin arkivat e nëntë viteve më parë dhe të shohin ndeshjen e tetorit të 2008-s.
MUNGESAT – Ndërkohë, përsa u përket mungesave, Di Françeskos do t’i mungojnë jo pak, por katër lojtarë, duke nisur që nga Bruno Perez që është dëmtuar, ashtu si edhe Emerson, Karsdorp dhe Nura. Ndërsa, Interit vetëm Santon, çka nuk do të jetë një mungesë që do të ndihet shumë nga Spaleti.