Dy takimet e sotme të javës së dytë të “Abissnet Superiore”-s kanë përfunduar në barazim. Teuta është ndalur në një barazim 1-1 nga Bylisi, ndërsa në krahun tjetër Erzeni dhe Kastrioti janë kanë dalë me rrjeta të paprekura nga stadiumi. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Arapi (Teuta): “Normalisht sot u munduam edhe t’i jepnim dorën disa djemve të ri sepse kishim dëmtime dhe mungesa. Nisëm një pjesë të parë të mirë dhe në momentin që humbëm zotërimin e topit pësuam edhe golit. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan, sepse dominuam çdo aspekt. Jam shumë i kënaqur edhe me lojtarët zëvendësues që hodha në fushë. Gjithmonë ka vend për të bërë më mirë, por siç e thash ishim dhe të detyruar, sepse Jazxhi ishte i dëmtuar dhe Idrizaj nuk ishte në 100%. Ne duhet të hyjmë gjithmonë për t’u përmirësuar, sepse futbolli është edhe sport gabimesh dhe ka gjithmonë probleme”.
Bellai (Bylisi): “Jam shumë i kënaqur nga djemtë për shpirtin që japin në fushë. Nuk e nisëm mirë pjesën e parë, por më pas filluam të dominojmë. Penalltia nuk ishte. Shënuam më pas, por nuk më pëlqeu gjykimi. Faullet e shumtë kundër. U ndalua shumë loja dhe kjo edhe ndikoi. Duhet të shoh faullin e golit të Teutës, sepse kam dyshime. Shumë situata ishin të dyshimta, ndërsa episodet ndaj nesh nuk u dhanë. Duhet të rregullojmë gjithçka, jo vetëm infrastrukturën apo ekipet. Pjesën e dytë kishte shumë faulle dhe lojtarët humbasin përqendrimin dhe ndëshkohen. Ne punojmë për të treguar çdo ndeshje objektivat tanë. Duhet të përballojmë të gjitha ekipet. I përshtatemi lojës së kundërshtarit.
E studiuam Teutën dhe punuam në pikat ku mendonim se ishim superiorë. Morëm një pikë dhe kur nuk fitojmë dot, më mirë të mos humbasin. Kënaqësi për djemtë sepse ata e meritojnë këtë sukses, ata vrapojnë dhe djersitin në fushë. Këto ndeshje duhen analizuar për të parë gabimet. E kishim ndeshjen në dorë në pjesën e parë, por nuk e mbyllëm dot. Kemi një ekip të ri, por çunat luajnë si të barabartë me të gjithë. Goditjet standarde të japin fitoren. Punuam që të mos ndëshkoheshim, por me kalimin e minutave nuk arritëm që të mbaheshim deri në fund. Jemi ekip i ri dhe kemi shumë punë për të bërë dhe për tu përmirësuar. Të dyja ndeshjet i kemi luajtur mirë, por duhet të përmirësohemi në mbrojtje”.
Kapllani (Erzeni): “I kënaqur jam, por sot prisja diçka më tepër nga skuadra. Mendoj se mund të bënim diçka më tepër duke parë edhe ekipin kundërshtar. Mendoja se kundërshtari do të kërkonte fitoren dhe do të linin hapësira mbrapa, por ne çeduam në fazën ofensive. Megjithatë, jam i kënaqur me një pikë sepse Kruja është ekip i vështirë. Pjesën e parë vuajtëm pak me pasin e shkurtër. Disa lojtarë nuk ishin në gjendjen optimale. Kishim edhe një mungesë të rëndësishme që e rikuperuam në pjesën e dytë. Në pjesën e dytë ndeshja ishte më e mirë dhe ishim më dominant ndaj kundërshtarit.
Nuk dua të merrem fare me gjykimin, por kjo ndeshje duhet të ishte gjykuar me një arbitër të UEFA-s sepse në disa momente nuk më pëlqeu. Unë mendoj që arbitri e vonoi shumë kartonin e verdhë. Duhet ta nxirrte pak më herë që të mos krijoheshin edhe probleme gjatë ndeshjes. Lojtarët titullarë? Amiri kishte disa probleme shëndetësore dhe u munduam ta mbanim për pjesën e dytë. Mendoj se Maloku ishte kuotuar për titullar që ndeshjen e kaluar, sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe shpresojmë shumë tek ai djalë. Osmanllari dhe Aliu kanë bërë një superndeshje në ndeshjen e parë dhe do të kontribuojnë në vazhdim. Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, pasi siç e thash në fillim ne nuk besuam. Por kam një kritikë për pjesën e parë duhet të ishte parë më mirë penalltia”.
Çela (Kastrioti): “Nga ndeshja e sotme jam i kënaqur, sepse pashë një ekip të ekuilibruar, që kishte lojën në kontroll. Patëm disa probleme me linjat e ndërmjetme, qoftë me top qoftë pa top. Jam i kënaqur, sepse gradualisht po gjejmë ekuilibër edhe në mbrojtje edhe në lojë. Sot na mungoi lojtari që jepte shkëndija, që krijonte raste një kundër një. Ishim në sulm, por nuk rrezikuam.
I kënaqur me Blerjet e reja? Po patjetër. Sot kishim 2 mesfushorë të rëndësishëm si Hasani dhe Mehmeti. Bëmë disa zëvendësime me lojtarë të rëndësishëm. Gradualisht këta lojtarë do futen në grup dhe hap pas hapi të gjejmë formacionin më të mirë. Mungon finalizuesi? Kemi afruar Gabriel, që na ka pëlqyer, por ka vetëm 4 ditë në Shqipëri. Ka nevojë për kohë dhe ambientim. Ndoshta nuk është në formën optimale, por do ta shohim javë pas jave. Prisni më nga merkato? Jam i kënaqur me këta lojtarë mund të bëjmë një kampionat shumë të mirë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/