27 gushti është një ditë që do të mbahet mend gjatë në futbollin shqiptar. 3 ekipe të Kategorisë superiore shkruajnë suksesin në Europë dhe prekin turin e dytë të kualifikueseve. Një moment krenarie ky padyshim për futbollin shqiptar, që dikur shihej si inferior në arenën europiane. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ndihet krenar për këtë sukses historik, teksa shprehet me të drejtë se “sot, Europa League foli shqip”.
“Sot, Europa League foli shqip! Në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Një super mbrëmje për skuadrat shqiptare! Pas kualifikimit të Teutës më herët gjatë ditës, vjen edhe suksesi i KF Laçit në transfertën azere si edhe triumfi i Kukësit ndaj Slavia Sofjes. Është fantastike, më bukur se kaq nuk kishte ku të shkonte! Asgjë nuk vjen nga rastësia, ky është një sukses që vjen si shpërblim për punën e mirë dhe të palodhur që klubet shqiptare kanë bërë në vazhdimësi.
Krenar për kualifikimin e tre klubeve shqiptare në turin tjetër të Europa League, krenar për futbollin shqiptar! Urimet më të mira edhe për Laçin edhe për Kukësin. Suksese të mëtejshme në Europa League. Faleminderit për emocionet që na dhuruat! Sot ishte një Shqipëri futbolli. Një Shqipëri që shkëlqen. Shqipëri që jep shpresë….”, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/