Gjithmonë i njohur për ftohtësinë e tij, edhe në momentet më emocionuese, por këtë herë ishte momenti për të shpërthyer. Real Madrid fitoi finalen e Champions League ndaj Dortmundit, ndërsa Ancelot është bërë trajneri me më shumë Champions League të fituar, plot 5 të tillë.
Legjenda e kësaj loje, teksa ka hyrë në një histori e cila do të jetë shumë e vështirë për t’u fshirë apo parakaluar nga të tjerë. Menjëherë pas mbylljes së ndeshjes, Anceloti ka rikujtuar rëndësinë e kësaj ndeshje.
“Duket si diçka normale, por nuk është normale, kemi fituar sërish Champions League. Sidomos pas kësaj ndeshje sot, ishte shumë e vështirë, Dortmundi luajti shumë mirë. Ata ishin më të fuqishëm dhe më të mirë se ne në pjesën e parë. Në ato momente duhej vetëm të tregoheshim të qetë dhe të kontrollonim ndeshjen.
Ne e merituam këtë fitore, një rezultat fantastik. Ata ishin shumë të mirë në tranzicion dhe ne nuk u balancuam sic duhet. Lojtarët nuk ishin fare nervoz në dhomat e zhveshjes në pjesën e parë, ata e dinin se duhej të bënin më mirë. Do të festoj me një puro, do të kërcejmë, festojmë dhe gjithçka tjetër”, tha Anceloti.
Nga krahu tjetër, tërësisht i dorëzuar, Terzic ka uruar kundërshtarin. “Sot e kuptova pse Real Madridi ka 15 Champions League, saktësia, kjo është ajo që ne na mungoi sot. Urime për ta, janë kampionët e vërtetë. Lojtarët e Realit ishin gjithmonë të uritur dhe të motivuar për të fituar, pavarësisht se kanë fituar shumë. Kjo është impresionuese. Jam shumë krenar për ekipin tim, kemi bërë një paraqitje të mirë, mund të meritonim më shumë, sidomos në pjesën e parë, por nuk arritëm dot të shënonim”, tha Terzic. /Sport Ekspres/