Sokol Cikalleshi shënoi sot dopietë në përballjen kundër Adana Demirsporit. Të dy golat erdhën nga pika e bardhë e penalltisë dhe kjo nuk është hera e parë që ndodh me sulmuesin shqiptar në këtë sezon.
Lojtari kavajas ka bërë ironi me këtë fakt në rrjetet sociale, teksa në një postim në “Instagram” ka shkruar: “E bëmë bajat me penalltitë, por duhen bërë gola. Fatkeqësisht nuk shkuam më shumë se barazimi sonte! Vazhdojmë përpara të bashkuar”.
Ndërkohë nuk ka munguar edhe batuta e Endri Çekiçit. “S’e gjeta unë anën, jo portierët”, ka komentuar mesfushori pogradecar. Një batutë që lidhet me episodin e ndodhur në ndeshjen e fundit mes Koniasporit dhe Pendiksporit. Endri Çekiçi i bëri me shenjë portierit krahun nga do të hidhej për të pritur penalltinë e Cikalleshit, por ky i fundit shënoi në krahun e kundërt./Halit Delibashi-Sport Ekspres/