Në mungesë të ndeshjeve në Kupën e Botës, temë e bisedës në emisionin “Botërori Katar 2022” në “Ora TV” është diskutuar edhe për futbollin shqiptar, duke marrë shkas nga finalja e Superkupës së Shqipërisë. Menaxheri Serxhio Mezi ka zbuluar më tepër detaje rreth merkatos së dy sulmuesëve të momentit në “Abissnet Superiore”, Xhuliano Skukës dhe Redon Xhixhës. Mezi bën të ditur se Skuka do të jetë deri në fund të sezonit te Partizani, ndërsa në verë refuzoi një ekip të Superligës turke. Ndërsa sa i përket Xhixhës, ofertë për të ka bërë edhe Lokomotiva e Zagrebit.
“Skuka për momentin është duke gëzuar kampionatin shqiptar. Ka pasur oferta, por do të rrijë në Shqipëri me aq sa kam unë informacion. Do të përfundojë kampionatin. Në muajin gusht kam qenë unë që i kam ofruar një ekip në Turqi dhe nuk ka pranuar. Ekip në Superligë. Sa i përket Xhixhës, kam informacion që edhe Lokomotiva e Zagrebit i ka ofruar një kontratë. I ka ardhur një e-mail Tiranës”, ka thënë Serxhio Mezi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/