Skënderbeu nuk ndalet as nga Vllaznia. Skuadra korçare ka fituar 2-0 në Korçë, në një sfidë që në fakt konsiderohej si shtëpiake për Vllazninë, por u luajt duke ndërruar fushën, pasi “Loro Boriçi” dhe “Reshit Rusi” në Shkodër nuk mund të përdoreshin për këtë sfidë, për arsye të ndryshme.
Pas barazimit në Kukës, Vllaznia futej në fushë me moral të lartë dhe në fakt luajti një ndeshje të mirë, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke krijuar jo pak situate të rrezikshme, por ndryshe nga java e shkuar, sulmuesi Atsina nuk ishte në ditën e tij më të mirë, duke humbur disa raste të mira, sidomos në minutën e 18-të, kur i vetëm me Shehin gjuajti jashtë, ndërkohë që pranë tij Hasani ishte gjithashtu i vetëm.
Skënderbeu nuk shkëlqeu, luajti me ritëm të ulët në pjesën e parë dhe nuk shkëlqeu as në sulm, por në pjesën e dytë, në minutën e 57-të, mendoi Afrim Taku të zgjidhte gjithçka, duke shënuar një gol çlirues. Më pas, sulme nga të dy krahët dhe Skënderbeu u vu në vështirësi në disa moment, por me ndihmën e fatit erdhi edhe goli i dytë, me Soue që shtyu në rrjetë një top të devijuar nga një mbrojtës, pas gjuajtjes së Gavazajt.
Kreu është gjithnjë e më shumë pronë e Skënderbeut, ndërsa Vllaznia mbetet në vendnumëro në vendin e parafundit, por loja është në rritje.
E diel, më 5 nëntor, ora 14:00
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë
Vllaznia – Skënderbeu 0-2
Shënues: Taku 57′, Soue 85′
Vllaznia: Selimaj, Gocaj (Gurishta 62′), Pjeshka, Orelesi, Marku, Krymi, Tafili, Hasani, Vucaj (Çinari 68′), Lika, Atsina (Ribaj 73′). Trajner: Ernest Gjoka
Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas (Aliti 60′), Jashanica (Nimaga 46′), Mici, Osmani, Lilaj, Muzaka (Gavazaj 83′), Taku, Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja
Karton i verdhë: Krymi 43′
Gjyqtarë: Mario Apap, Pol Apap, Semi Attard, Stefan Paçe
EPISODET