Drejtuesit e klubit kanë vendosur të kthejnë në ekip disa nga të huazuarit. Bëhet fjalë për tre sulmuesit që kanë luajtur te Flamurtari, Trepça ‘89 dhe Rabotniçki
Leonard Trebicka
Presidenti Ardjan Takaj dhe stafi i tij kanë vendosur të kthejnë në ekip një pjesë të mirë të futbollistëve të huazuar. Ky vendim është marrë dje dhe ka të bëjë me tre sulmues, që do të jenë në dispozicion të trajnerit Shehi. Përveç punës për qëndrimin e titullarëve të sezonit të fundit, të cilëve u ka përfunduar kontrata, drejtuesit e Skënderbeut do ta kompletojnë grupin me disa nga të huazuarit. Ka disa vite që skuadra korçare huazon shumë lojtarë dhe aktualisht numërohen të paktën 11 të huazuar në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Trajneri Shehi nuk ka nevojë për të gjithë dhe presidenti Takaj ka zgjedhur tre për momentin: Ardit Hoxhajn, Oto Xhonin dhe Çarlsin. Të tre këta lojtarë do të jenë më 5 korrik në grumbullim me Skënderbeun.
A.HOXHAJ – I pari që është konfirmuar se do të rikthehet te Skënderbeu, është vlonjati Ardit Hoxhaj. Ai u huazua sezonin që shkoi te Flamurtari, pasi Skënderbeu kishte shumë sulmues dhe për të kishte pak hapësirë. Hoxhaj luajti për ekipin e qytetit të tij në shumë ndeshje dhe tani është më i pjekur për korçarët. Skënderbeu ka nevojë për futbollistë më shumë se kurrë dhe Takaj e Shehi kanë vendosur ta kthejnë Hoxhajn në ekip, duke i dhënë fund huazimit te vlonjatët. Soue është larguar dhe korçarët kanë nevojë për sulmues.
OTO XHON – Futbollisti i dytë që do të kthehet në Korçë javën e ardhshme, do të jetë golashënuesi më i mirë i kampionatit kosovar, Oto Xhon. Nigeriani ka luajtur për Trepçe ’89 si titullar dhe tani ka ardhur momenti të lërë Kosovën dhe të kthehet te Skënderbeu. Drejtuesit korçarë dhe ata të klubit kosovar kanë miqësi dhe bashkëpunim të frytshëm. E kishin marrë sulmuesin afrikan për dy sezone dhe paraqitja e tij ka qenë e shkëlqyer. Oto Xhon do të jetë një forcë më shumë në repartin e sulmit, ku duhet të plotësohen vendet e mbetura bosh nga largimet.
ÇINEDU ÇARLS – Një tjetër nigerian që është gati të rikthehet te Skënderbeu, është Çarls Çinedu. Shtatlarti që luajti sezonin e fundit te maqedonasit e Rabotniçkit, ka rënë në sy me lojën dhe golat e tij. Për Çarls nuk është 100% e sigurt se do të kthehet nga huazimi, por drejtuesit e Skënderbeut e kanë parë talentin e tij dhe kanë mendimin se mund t’i shërbejë ekipit.
Me kthimin e këtyre tres sulmuesve, grupi do të jetë më i plotë, veçanërisht në repartin e avancuar. Tani mbetet për t’u parë se cila do të jetë lista e plotë e lojtarëve, të cilët do të përbëjnë ekipin e sezonit të ardhshëm.