Skënderbeu përgatit festën, të dielën luhet për golat e Souesë

Titulli i tetë kampion në histori “u kry”. Në qytetin juglindor po bëhen gati për 23 majin, kur luhet ndeshja e fundit dhe do të ngrihet trofeu

Leonard Trebicka

Pak më shumë se 10 ditë më vonë do të jetë sërish Korça qyteti që do të festojë. Qyteti më i madh juglindor i Shqipërisë njihet për festat e shumta, por në 8 vitet e fundit ka edhe një festë “tradicionale”, atë të titullit kampion. Më 23 maj vjen në Korçë trofeu i 8-ë në histori për Skënderbeun. Atë ditë do të presë në shtëpi Vllazninë, në ndeshjet e fundit të kampionatit. Që tani në Korçë po bëhen gati për atë ditë, po bëhen gati të festojnë si të çmendur. Një festë e ligjshme, që në fakt filloi dy ditë më parë dhe që mendohet të përfundojë më 27 maj, kur luhet finalja e Kupës së Shqipërisë. Të gjithë e duan në Korçë edhe këtë trofe, që nuk e kanë fituar asnjëherë. Të dielën Skënderbeu pret Teutën, por kjo ndeshje vlen vetëm për statistikë. Qysh këtë fundjavë në qytet do të nxjerrin Ujkun, simbolin e klubit. Maskoti do të dalë nga strofulla dhe do fillojë të bëjë nxemjen për 23 majin, kur FSHF-ja do të dorëzojë trofeun. Pas ndeshjes ndaj Lushnjës, të gjithë në ekip kanë ndjekur rivalin e Skënderbeut, Kukësin, që u mund dhe në Korçë kanë festuar për trofeun e radhës.

URIMET – Në faqen e vet zyrtare të klubit Skënderbeu kanë vërshuar urimet të mërkurën në mbrëmje jo vetëm nga Korça, por nga gjithë Shqipëria dhe nga vende të ndryshme jashtë saj. Lumë urimesh për titullin kampion, që Skënderbeu vetëm një sezon ia la Kukësit.

Ndaj Teutës, me lojtarët e stolit
Skënderbeu të dielën do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi si kampion në fuqi i Superligës, që nuk ka përfunduar ende. Edhe pse duhen edhe tri javë, për bardhekuqtë këto javë vlejnë sa për statistikë, pasi titulli është siguruar. Për momentin, Skënderbeu e shikon veten 11 pikë larg vendit të dytë, që mbahet nga Kukësi. Trajneri Ilir Daja e ka thënë troç: do të aktivizojë në këto tri ndeshje lojtarët që kanë pasur vetëm pak minuta në këmbë. Të dielën ndaj Teutë është e sigurt që pjesa më e madhe e titullarëve do të qëndrojnë në stol dhe në tribunë. Është radha e Teqjas, Gripshit, Vilës, Krasniqit, Sahitit, Abazit, Demtes, Nimagës etj, të cilët kanë pasur më pak minuta në këmbë dhe tashmë do të kenë shansin të tregojnë veten e tyre. Këto ndryshime vijnë, sepse Skënderbeu e ka siguruar titullin kampion, por pavarësisht ndryshimeve në formacion, nuk ka ndërmend të lëshojë pe ndaj asnjë kundërshtari. Sa të zotët do të jenë lojtarët e stolit, kjo mbetet për t’u parë.

Edhe një trofe për të fituar, atë të Souesë
Korçarët këtë sezon duan ti rrëmbejnë të gjithë trofetë. Të parin, atë të titullit kampion, që është edhe më i rëndësishmi, Skënderbeu e siguroi dy ditë më parë. Trofeu i radhës, përpara 27 majit, është ai i Këpucës së artë. Edhe pse është një trofe individual, për klubin Skënderbeu është një trofe që duhet fituar. Ali Soue ndodhet në kuotën e 19 golave, aq sa ka edhe Sindrit Guri, ndërkohë që mbeten edhe tri ndeshje deri në fund. Ali Soue mendohet të luajë edhe në këto përballje të fundit, sepse e kërkon trofeun e golashënuesit më të mirë. Lufta nuk është e lehtë me një lojtar si Guri, por Skënderbeu mendon se edhe ky trofe do të shkojë te lojtari i vet. Pas këtij trofeu, mbetet ai u Kupës së Shqipërisë, por ka ende kohë deri më 27 maj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *