Objektivi i korçarëve është kalimi i grupit dhe për këtë duhet patjetër trepikëshi ndaj zviceranëve. Çdo fitore e çdo barazim në grup shpërblehet financiarisht
Skënderbeu është ekipi që kuotohet më pak për kalimin e grupit B, ku favorite është Dinamo e Kievit, skuadra që i mundi 3-1 korçarët në ndeshjen e parë. Sot skuadra e Dajës luan ndeshjen e parë si pritëse dhe në stadiumin “Elbasan Arena”, ku përballet me Jang Bojs, zviceranët që barazuan 1-1 në ndeshjen e parë me Partizanin e Beogradit.
Nga drejtuesit e Skënderbeut pretendohet vendi i dytë për kalimin më tej dhe për këtë objektiv është shumë e rëndësishme të fitohet ndeshja e sotme me Jang Bojs, që në letër është edhe kundërshtari më i lehtë në grup. Por vlerësimi në radhët e korçarëve mbetet po aq i madh sa me Dinamon e Kievit, sepse zviceranët janë në formë të mirë dhe duhet kujdes maksimal. Edhe pse është vetëm ndeshja e dytë të grup, duhet pranuar se vendi i dytë varet shumë nga rezultati i këtij 90-minutëshi, ku fitorja e fut Skënderbeun në rrugën e duhur, ndërsa një humbje tjetër do ta bënte të pamundur ndoshta vendin e lakmuar. Korçarët nuk kanë presion dhe nuk kanë çfarë humbasin, ndaj dhe sot në mbrëmje, me ndihmën e tifozëve të tyre, pritet të dhurojnë një ndeshje me plot emocione, të finalizuar me sukses.
SHPËRBLIMI – Por Skënderbeu nuk luan vetëm për vendin e dytë dhe prestigjin e tij në këtë ndeshje, pasi çdo fitore e mundshme në grup shpërblehet nga UEFA me një shifër të konsiderueshme, që është 360 mijë euro. Për një ekip shqiptar është një shumë jo e vogël dhe Skënderbeun sigurisht që e josh jo pak kjo shifër. Nëse korçarët do të fitojnë të paktën një ndeshje në shtëpi, është kjo e sotmja me Jang Bojs. Po ashtu, edhe për barazimin ka shpërblim prej 120 mijë eurosh dhe Skënderbeu nuk do të tolerojë aspak, edhe pse përparësi për të është kampionati.
GJENDJA – Trajneri Daja nuk ka të gatshëm për këtë ndeshje dy lojtarë me shumë përvojë si Osmani dhe Radas, por Skënderbeu ka një grup të plotë dhe stafi teknik mund të manovrojë në çdo situatë pa problem. Kthehet Nimaga, ndërkohë që Jashanica ka lënë pas dëmtimin. Në fushë pritet një ekip sulmues, ku Gavazaj, Sahiti dhe Xhejms do të jenë në mbështetje të sulmuesit Ali Soue. Skënderbeu ka pasur fat dhe ka kaluar me sukses të gjithë kundërshtarët në stadiumin “Elbasan Arena”, ndaj dhe sot pritet suksesi i radhës nga korçarët.