Skënderbeu në UEFA, edhe Berisha e Latifi dëshmojnë

Skënderbeu po përgatitet për betejën finale në CAS kundër dënimit të UEFA-s me 10 vite pa ndeshje ndërkombëtare, por ndërkohë sot e ka radhën përballja me Komisionin e Apelit në UEFA.

Një procedurë e nevojshme mbi të gjitha për të fituar kohë, sepse klubi korçar e di mirë që UEFA nuk do të bëjë asnjë konto.

Megjithatë, avokatët zviceranë që përfaqësojnë Skënderbeun do t’i bëjnë gjërat si duhen këtë radhë, ndryshe nga përballja e para dy viteve me UEFA-n, kur u bënë gabime nga përfaqësuesit ligjorë të Skënderbeut.

Përveç avokatëve zviceranë që përfaqësojnë skuadrën korçare, do të dëshmojnë dhe 5 futbollistë dhe ish-futbollistë të skuadrës.

Sabien Lilaj e Bakari Nimaga janë nga ekip aktual, ndërsaBledi Shkëmbi, sot trajner i Lirisë së Prizrenit, por edhe ish-lojtarët Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus, si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari, do të flasin për Komisionin e Apelit, në lidhje me ndeshjet për të cilat akuzohet Skënderbeu.

Emrat e Latifit dhe Berishës janë një surprizë, por i ka kërkuar vetë avokati i Skënderbeut. Sot do të jetë seanca dëgjimore, ndërkohë që vendimi do të zbardhet në ditët në vazhdim dhe më pas Skënderbeu do të ketë kohë për të apeluar në CAS dhe për të përgatitur strategjinë mbrojtëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *