Transferta e madhe ishte një shans i mirë për promovimin e lojtarëve që janë për t’u shitur. Fatkeqësisht, mbrëmja në këtë drejtim u çua dëm
Tre ishin objektivat kryesorë të Skënderbeut, që në momentin që mësoi që ndeshja e parë në grupet e Europa Ligës do ishte kundër Dinamos së Kievit. Përtej optimistëve, kundërshtari ishte i frikshëm. Skuadra më e madhe e Bllokut të Lindjes deri në vitin ‘90, kampione e rekordmene në Bashkimin Sovjetik, prodhim i tre Topave të Artë ndër vite, fitues i dy Kupa Kupash dhe emër i rëndësishëm dhe në kohët moderne, pavarësisht se në Ukrainë prej vitesh Shahtjor e ka eklipsuar disi me titujt e fituar.
Objektivi i parë ishte “të kapim të paktën një pikë”. E vështirë sa të duash, por ashtu si shkoi ndeshja dhe mund të tentohej disi. Skënderbeu e fitoi 1-0 pjesën e parë, por sidomos mungesa e përqendrimit dhe gabimet e vogla e ndëshkuan 3-1 në fund të ndeshjes. Objektivi i dytë u realizua, duhej luajtur një ndeshje dinjitoze dhe duheshin marrë komplimentet e opinionit publik. Ashtu si shkuan gjërat, mund të thuash me bindje që dinjiteti e karakterizoi gjithë ndeshjen. Objektivi i tretë, madje për nga radha, ishte evidentimi dhe përshtypja pozitive e ndonjë lojtari që Skënderbeu dëshiron ta shesë në janar ose në verën e ardhshme. Sigurisht që një lojtar nuk shitet nga një ndeshje, por Kievi është një mundësi e mirë për të rritur dhe më shumë bonuset në këtë drejtim.
Gavazaj që është, le të themi, objektivi kryesor në këtë strategji, u dëmtua që përpara ndeshjes, ndërsa Nimaga prej kohësh i vëzhguar nga klubet e huaja kishte marrë karton të kuq kundër Dinamos së Zagrebit dhe nuk mund të luante. Jashanica, një tjetër potencial në këtë drejtim, u dëmtua në ndeshje e sipër. Fatkeqësisht në Kiev, Skënderbeu humbi ndeshjen, por edhe disa shanse anësore.