Bardhekuqtë do të luajnë mesjavën e ardhshme ndeshjen e grupeve të Europa League ndaj Partizanit të Beogradit dhe për këtë trajneri Ilir Daja ka menduar të çlodhë disa futbollistë. Përveç tyre ka edhe dëmtime dhe numri i mungesave në ndeshjen e sotme ndaj myzeqarëve shkon në gjashtë. Vetëm Gavazaj, Nespor dhe Nimaga, janë tre lojtarë të dëmtuar dhe nuk do të jenë as në 18-en e Skënderbeut. Nga ana tjetër, tre mungesat e tjera janë thjesht për t’u ruajtur nga stafi teknik, ku Tefik Osmani edhe dje ka zhvilluar stërvitje të diferencuar. Edhe Suad Sahiti thuajse e ka kaluar dëmtimin, por edhe ky do të zgjidhet që të qëndrojë në stol. I treti lojtar që nuk do të sakrifikohet është Sabjen Lilaj. Mesfushori korçar një ditë më parë mungoi pasi ishte duke kaluar një virozë, por dje ishte në stërvitje me skuadrën, ndërkohë që Daja ka vendosur ta çlodhë, pasi ka shumë ndeshje që luan si titullar. Në këtë mënyrë Lilaj do të jetë gati vetëm ndaj Partizanit të Beogradit dhe mesfushori është duke kaluar një moment të mirë, duke u shpallur vetëm pak ditë më parë edhe lojtari më i mirë i Superiores për muajin shtator.
FORMACIONI – Përveç gjashtë futbollistëve që janë përmendur tashmë, ku disa do të mungojnë për arsye dëmtimi dhe disa të tjerë do të çlodhen nga stafi teknik, një risi sot pritet në krahun e majtë të mbrojtjes. Gledi Mici mund të jetë mungesa e shtatë e Skënderbeut në këtë përballje të pasdites së sotme, jo se ka ndonjë dëmtim, por do ta nisë nga stoli, pasi ka shumë minuta në këmbë. Skënderbeu i sotëm do të ketë risi të shumta në formacion, madje edhe skema e lojës pritet të jetë ndryshe, 4-1-2-3. Në portë i sigurt është kapiteni Orges Shehi. Katërshja e prapavijës do të ketë Vangjelin në të djathtë, ndërkohë që qendra do të jetë me kroatin Radas dhe kosovarin Jashanica. Në të majtë gjasat janë të mëdha që të jetë Aliti, pasi Mici pritet të mos sakrifikohet. Përpara mbrojtjes Dita do të bëjë edhe sot shkatërruesin. Muzaka do të ketë në krah Shkodrën, i cili pas disa takimesh rikthehet në formacion. Kjo dyshe do të luajë prapa tre sulmuesve, ku vija e parë do të jetë me Takun në të djathtë dhe Xhejms Adenijin në të majtë. Ali Soue edhe njëherë tjetër do të jetë pika e referimit në ofensivë dhe ky pak a shumë është 11-shi i sotëm i Skënderbeut, formacion me shumë ndryshime, si rrjedhojë e ndeshjeve të shumta që do të luajnë bardhekuqtë edhe në vazhdim.
Formacioni i mundshëm i Skënderbeut
Shehi – Vangjeli, Rada, Jashanica, Aliti – Dita, Muzaka, Shkodra – Taku, Soue, Xhejms