Për 90 minuta skuadra korçare do të marrë rëndësinë e Kombëtares dhe të gjithë do të bëjnë tifo për të sot në mbrëmje
Leonard Trebicka
Kuqezi je ti. Sot Skënderbeu i Korçës është ekipi i mbarë shqiptarëve. Do ta mbështesin në Korçë, por edhe në të katër anët e vendit, në Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Skënderbeu është skuadra e vetme shqiptare që vazhdon rrugën në Europë dhe përtej rivalitetit në kampionat, të gjithë duan që të shkojë sa më larg. Sot është një tjetër ditë e madhe, pasi luan një skuadër shqiptare ndaj një skuadre serbe. Pa dashur që ky 90-minutësh të futet në shina të gabuara e të ngatërrohet me politikën, është e pamundur të shmanget dëshira e madhe edhe patriotike për triumf. U ngritëm të gjithë në këmbë pas ngjarjeve në Serbi me Kombëtaren, e mbështetëm me shpirt Shqipërinë, do ta bëjmë edhe sot për Skënderbeun, që në 90 minuta duhet të bëjë Shqipen ndaj Partizanit të Beogradit. Sot është skuadra e gjithë shqiptarëve. Sa herë përmendet kundërshtari serb, në mendje vjen natyrshëm Flamurtari i tre dekadave më parë, kur i bëri serbët të flasim me vete. Përse të mos e bëjë sot Skënderbeu..?
Sot të gjithë do të jenë me Skënderbeun, me ekipin shqiptar rekordmen në Europë. Në Elbasan Arena ekipi korçar do të ketë ngjyrat kuqezi më shumë se ato të tijat tradicionale bardhëkuqe. Gjithë shqiptarët do të jenë me të dhe sot është nata e madhe e tyre. Le të bëjmë të gjithë pjesën tonë, që ky Skënderbe të na emocionojë ashtu si Kombëtarja. Kjo e fundit nuk ia doli ndaj Serbisë, por Skënderbeu mund t;ia dalë ndaj Partizanit të Beogradit. Eshtë njësoj. Ndoshta dikush do ta shtrembërojë këtë ndeshje, ta nxjerrë jashtë kornizave të futbollit, por të gjithë shqiptarët do të dinë të jenë mbështetësit e duhur të skuadrës shqiptare. Një fitore e mundshme do të shijonte më shumë se gjithçka tjetër. Skënderbeu mund të përsërisë sot Flamurtarin, ata që do të jenë në fushë mund të bëjnë Sokol Kushtën me shokë. Edhe pse gjithçka ka ndryshuar, ne shqiptarët jemi bërë shumë herë krenarë dhe sot mund të bëhemi më shumë se kurrë, nëse ky Skënderbe fiton. Le të vrapojmë të gjithë drejt Elbasanit për tu bërë krenarë…