Skënderbeu nuk duron më dhe tani flet vetë, me një komunikatë për mediat. Është larguar zyrtarisht Ilir Daja, janë larguar Lilaj e disa lojtarë të tjerë, ka edhe shumë të tjerë me valixhe në duar.
Kjo ka bërë që të mendohet për shpërbërje, por klubi korçar hedh poshtë gjithçka dhe premton një skuadër po aq të fortë për sezonin e ardhshëm.
DEKLARATA E KLUBIT
Pavarësisht vendimit për mospjesmarrje në kompeticionet europiane, klubi vijon normalisht punën për sezonin futbollistik 2018/19.
Drejtuesit e klubit kanë vendosur zyrtarisht dhe datën e rifillimit të përgatitjeve. Ekipi do të grumbullohet në datën 5 korrik për të nisur zyrtarisht punën për sezonin e ri.
Ju sigurojmë që çdo largim do të zëvëndësohet dënjësisht dhe KF Skënderbeu do të pretendojë ashtu si në 8 vitet e fundit, titullin kampion.
Klubi po punon për forcimin e grupit dhe në ditët në vijim do të zyrtarizojmë trajnerin e ri, përforcimet e para dhe detajet e përgatitjeve për sezonin e ri.
Lutemi që të prisni qetësisht zhvillimet e reja dhe ju premtojmë se ky klub do të mbetet po kaq dinjitoz me objektivin e vetëm, titullin kampion.