Skënderbeu i merr pikën në fund Vorës, Bismark shënon, i heqin fitoren nga duart kundërshtarit

Vora dhe Skënderbeu kanë ndarë nga një pikë në një sfidë dramatike të javës së pestë të Abissnet Superiores, e cila u vendos vetëm në minutat e fundit. Takimi në stadiumin e Vorës përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa vendasit ishin shumë pranë fitores.

Vora kaloi në avantazh në minutën e 33-të. Bernard Karrica ekzekutoi në mënyrë spektakolare një goditje dënimi, duke mposhtur portierin Alia dhe duke i dhënë ekipit të tij epërsinë. Vendasit patën mundësi edhe për golin e dytë, por nuk arritën ta shfrytëzonin.

Në pjesën e dytë, situata u komplikua për Vorën. Në minutën e 63-të, Kashari mori kartonin e dytë të verdhë dhe u ndëshkua me të kuq, duke lënë ekipin me dhjetë lojtarë. Skënderbeu fitoi terren dhe kërkoi me ngulm golin e barazimit.

Momenti vendimtar erdhi në minutat shtesë. Pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri akordoi penallti për Skënderbeun për një mbajtje në zonë, vendim që shkaktoi protesta të shumta nga vendasit.

Nga pika e bardhë, Bismark nuk gaboi dhe në minutën e 96-të vendosi shifrat 1-1. Vora humbi kështu fitoren në sekondat e fundit, ndërsa Skënderbeu mori një pikë të rëndësishme në transfertë. /Sport Ekspres/