Ajo fitore që Bylisi arriti në javën e tretë të Superiores ndaj Skënderbeut me rezultatin 0-3, ishte jo vetëm befasia më e madhe e javës që lamë pas, por ndoshta edhe e sezonit të ri. Sigurisht që tre javë janë pak për të folur rreth fateve të kampionatit, por ai takim në Korçë ka bërë që të flitet edhe për traditën e ekipeve që vijnë nga Kategoria e Parë.
Të rralla janë rastet kur këto skuadra arrijnë të mbijetojnë në elitën e futbollit shqiptar dhe të mos rikthehen në vendin ku kanë qënë me herët. Bylisi do të tentojë gjithçka për të qenë një rast përjashtimi, ndërsa jehonë të madhe i dha ajo fitore në Korçë edhe pas notave të spektaklit, ku realizoi edhe portieri Isli Hidi.
Por nëse shohim me vëmendje statistikat, kjo nisje sezoni e Bylisit është thuajse e ngjashme me Kastriotin e sezonit të shkuar, që nuk arriti të mbijetonte dot në Superiore. Skuadra e Byllisit ka vetëm një pikë më shumë se ai Kastriot në 3 ndeshjet e para, megjithëse këta të fundit do të luanin me kundërshtarë si Luftëtari në transfertë, Skënderbeu dhe Partizani.
Dallimi i vetëm mes këtyre skuadrave është fakti se nëse Kastrioti do të humbiste me rezultatin 0-3 ndaj Skënderbeut, Bylisi do të arrinte që të fitonte në këto shifra. Është ende herët që të bëhet një gjykim më i saktë, por sigurisht euforia nuk gjen vendin më të vogël. /Sport Ekspres/