Skela votëbeson Panuçin: Por, ka humbur numri “10”

Pesë vjet më parë, ish-mesfushori vlonjat dha lamtumirën me kombëtaren, ndërsa tani jeta e tij mes Gjermanisë dhe kursit UEFA Pro po merr një tjetër drejtim: Kombëtarja ka rritur nivelin

Tashmë është duke ndjekur kursin UEFA Pro, pasi në të ardhmen e sheh veten si trajner futbolli. E megjithatë, Ervin Skela mbetet një emër dhe figurë mjaft e rëndësishme në panoramën e sportit shqiptar dhe jo vetëm sa i përket topit. Ashtu si thuajse shumë nga brezi i tij, edhe ish-futbollisti nga Vlora jeton jashtë vendit, pikërisht në Gjermani, ashtu si edhe Altin Lala. E ndërsa Lala i ka hyrë fushës së menaxhimit (transferoi Rashicën nga Vitese te Verder Bremeni në janar), Skela prej vitesh është pjesë e klubit të Eintraht Frankfurtit, duke qenë ambasador i tij. Sigurisht, gjatë kohës së lirë gjen ende forcat për të luajtur, në kategoritë amatore (deri vonë ishte pjesë e Hanaut), pasi futbolli mbetet pasioni i tij. Megjithatë, e ardhmja do të jetë në stol. Dhe, pikërisht për të vjedhur disa sekrete të trajnimit, ai ka ndjekur stërvitjen e Kristian Panuçit ditën e mërkurë, ndërsa në një intervistë për “Supersport”, ka folur mjaft mirë për metodat e ish-mbrojtësit, diçka që në kohën e tij nuk ekzistonte në raportin lojtar-trajner. Skela u tërhoq 5 vjet më parë nga kombëtarja e Shqipërisë.

Si e gjetët ekipin kombëtar dhe çfarë mund të thoni për Kristian Panuçin?

Është e vështirë të them tani se si e shoh unë ekipin kombëtar, pas arritjes në europian të De Biazit. Aktualisht kemi të bëjmë me një cikël të ri, me ardhjen e Panuçit, por është vetë trajneri që i sheh futbollistët sesi ecin me ekipet e tyre. Më pëlqeu jashtë mase. Kishte shumë komunikim dhe shumë këshilla për lojtarët. Ishte hera e parë që e shihja stërvitjen e Kombëtares në drejtimin e Panuçit dhe më ka lënë përshtypje pozitive. Kjo është një ndihmë e madhe për lojtarët e rinj. Unë nuk kam pasur shumë këshilla nga trajneri gjatë kohës time të parë në Kombëtare, sa i përket këshillave në fushën e lojës për vendosjen dhe pozicionimin tim.

Jeni tërhequr nga kombëtarja kohë më parë, por cilin shihni si pasardhësin tuaj, pra atë futbollist me numër “10”?

Ka humbur numri 10 i famshëm apo organizatori. Në futbollin modern kërkohet që sulmuesit dhe organizatorët të mbrojnë edhe më shumë. Futbolli është bërë shumë më i shpejtë dhe ekipet dhe lojtarët janë shumë të përgatitur fizikisht dhe taktikisht.

Liga e Kombeve, një mundësi e artë. Përpara se të nisë ky kompeticion, a e sheh Shqipërinë, duke parë edhe grupin, ta mbyllë në vend të parë?

Me Izraelin, pas humbjes në një ndeshje, ku nuk mund të flitej futboll, e treguam veten atje. Ndërsa Skocia është një skuadër me lojtarë të gjatë dhe fizike e që pa dyshim ka shumë emër. Por tani e kemi shkallën shumë më të lartë pas kualifikimit në Europian. Nuk kërkojmë vetëm të jemi aty por luajmë gjithmonë për vendin e parë. Këta djem e kanë rritur vetë nivelin deri në këtë pikë të lartë dhe tani duhet vetëm ta mbajnë.

A mund të na thoni se si është jeta e juaj tashmë në Gjermani, duke qenë pjesë e klubit Eintraht Frankfurt?

Jam shumë krenar që në një klub si Eintraht Frankfurt ndodhem mes legjendave të futbollit gjerman si ambasador i klubit. Jetoj me familjen në Frankfurt prej shtatë vitesh, në klub shërbej për akademinë e futbollit dhe më jep kënaqësi puna e trajnerit. Të bëj UEFA Pro është një vlerësim shumë i madh, më vlen edhe në Gjermani dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë punë dhe më pak fat të jem në nivele të larta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *