Skaneri i Kliton Bozgos: Na duhet një lider dhe… shpirt gare

Pas shortit të Kampionatit Europian 2020, ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, beratasi Kliton Bozgo, u shpreh për “SportEkspres.com” se, në këtë event është momenti që të rikthehet Shqipëria e De Biazit. Sipas tij, kësaj Kombëtareje i mungon shpirti i garës dhe një futbollist lider, që sipas tij mund ta bënte mirë Agolli.

Kliton Bozgo ka qenë futbollist i Tomorit të Beratit në Kategorinë Superiore në tre sezone (1989-1992), dhe në sezonin 1991-1992 ka dalë golashënuesi më i mirë i kampionatit me 29 gola. Më pas ai ka luajtur me skuadra sllovene, kryesisht me Mariborin, me të cilin ka qenë prezent edhe në Ligën e Kampioneve dhe në UEFA Europa Ligë. Në Kombëtaren shqiptare Bozgo ka luajtur 13 ndeshje, ndërkohë që aktualisht është skaut i U15 Slloveni, por i pranishëm edhe në ndeshjet e Kombëtares sonë në Shqipëri dhe jashtë saj.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Ju duket short i vështirë, apo “kapriçioz” ky i Europianit me Francën në grup?
-Natyrisht që është një grup i vështirë, sepse të tillë janë të gjithë kundërshtarët e Grupit H. Por kjo nuk do të thotë se Kombëtarja jonë të ndjehet inferiore, sepse këtë ne e kemi treguar, kryesisht në Europianin e kaluar. Gjithsesi, ecuria do varet nga shumë faktorë.

Është përcaktuar edhe kalendari i ndeshjeve eliminatore në Grupin H, ju duket favorizues për Shqipërinë?
-Çdo ndeshje do të jetë e vështirë, edhe pse kalendari në dukje na favorizon, sidomos në dy ndeshjet e para ku presim Turqinë dhe luajmë në transfertë me Andorrën. Nëse deri në ndeshjen e katërt me Moldavinë do të kemi më shumë se 7 pikë, mendoj se do të jemi pretendentë për vendin e dytë në grup. Franca nuk duhet të na trembë, edhe pse ajo mbetet favorite në grup.

Me Panuçin në stol, si e mendoni Kombëtaren tonë në këtë Evropian?
-Gjatë këtij viti që Panuçi ka marrë drejtimin e Kombëtares sonë, ka shumë futbollistë të larguar. Realisht na mungon një lider, e ndoshta kjo situatë e largimeve ka sjellë mosfunksionimin si duhet të reparteve në fushën e lojës, dhe kjo ndodhi pas largimit të De Biazit.

Me paraqitjen në Ligën e Kombeve, mendoni se Kombëtarja ka shance për një kualifikim në Kampionatin Europian?
-Në Ligën e Kombeve, Kombëtarja jonë nuk tregoi vlera, ndaj them se duhen ndryshime. Është një kohë e shkurtër deri në muajin mars për të bërë seleksionimet e duhura, e këtu Panuçi mendoj se duhet të tregojë më shumë se sa në ndeshjet që e ka drejtuar Kombëtaren tonë në këtë periudhë.

Kristaq Mile, Astrit Ziu dhe Kliton Bozgo ne Euro 2016

Nga Europiani 2016 e deri më sot, sa mendoni se ka ndryshuar Kombëtarja jonë?
-E theksova më sipër se ka ndryshime, por nuk ka një lider. Është shumë e domosdoshme që në fushën e lojës të jetë një kapiten si Cana, dhe këtë mund ta bënte mirë Agolli, të cilin Panuçi e largoi pa arsye bindëse. Ky është ndryshimi që i mungon sot Kombëtares sonë.

Po me atë skuadër që ju luajtët dekada më parë, si e shikoni Kombëtaren sot?
-Unë luajta në Kombëtare në harkun e viteve 1990-2000, dhe në atë periudhë sa kishin nisur largimet e futbollistëve shqiptarë në Europë. Sot në Kombëtare ka shumë futbollistë që luajnë me skuadra të mëdha në Europë, dukuri kjo që aktualisht duhet të sjellë shumë ndryshim cilësor.

Mendoni se ka diçka tjetër që i mungon kësaj Kombëtareje sot?
-Nëse Kombëtarja e ka elementin cilësor, mendoj se i mungon shumë shpirti i garës. Kombëtarja është vlerë dhe maja e karrierës për çdo futbollist. Këtë duhet ta kenë këta futbollistë, të cilët sot Panuçi i ka besuar në skuadër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *