“S’kanë veshur kurrë tuta sportive”, De Biasi thumbon qeveritarët: Lënë për të dëshiruar, s’kanë parë qendra sportive

Futbolli italian prej disa kohësh është në një “luftë të hapur” me qeverinë Ministrin e Sporteve, Spadafora, për të cilin nuk kanë reshtur kritikat. Vendimi i fundit për të lejuar stërvitjen e lojtarëve individualisht në parqe apo rrugë, por jo në qendrat stërvitore ka hapur jo pak debate në vendin fqinj. Logjika nuk shkon në këtë rast, prandaj shumë njerëz nga bota e sportit kanë ngritur zërin e tyre.

Kjo çështe ka tërhequr edhe vëmendjen e ish-trajnerit të Kombëtares, Giani De Biasi, i cili në një prononcim për “Rai 2” ka lëshuar kritikat e tij. Trajneri që udhëhoqi Shqipërinë drejt suksesit më të madh të historisë së tyre thumbon personat përgjegjës për këtë vendimmarrje, të cilët sipas tij duket se përveç kostumeve me kollare nuk kanë veshur ndonjëherë tutat sportive apo të kenë shkelur në një fushë sportive.

“Unë mendoj se ka një konfuzion në krye. Nëse lejoni një lojtar të shkojë të stërvitet individualisht në park, unë mendoj se është shumë më e rrezikshme sesa stërvitja në Trigoria ose Formello. Ndoshta situata e qendrave të ndryshme sportive të klubeve të Serisë A nuk dihet mirë: disa kanë pesë ose gjashtë fusha futbolli, të tjerët pak më pak por sigurisht që ekziston mundësia për të qenë në një mjedis të mbrojtur, ku njerëzit mund të stërviten seriozisht, duke qëndruar veç por me njerëz që mund të ndihmojnë. Ky është aspekti më i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë: me siguri kushdo që e përcakton këtë strategji nuk ka veshur kurrë tuta sportive, asnjëherë nuk ka hyrë në një dhomë zhveshjesh dhe nuk ka parë kurrë një qendër sportive. Ky është një aspekt që lë pak për të dëshiruar, në lidhje me marrjen e përgjegjësisë”, ka thënë De Biasi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/