Rekordmenia italiane nder-23 në hedhje disku, Deisi Osakue, mund të mos shkojë në Kampionatin Europian të Atletikës, sepse mbrëmjen e së dielës mbeti viktimë e një sulmi skandaloz në Monkalieri, afër Torinos.
Osakue, e lindur në Torino nga prindër nigerianë, u godit në fytyrë nga një vezë e hedhur nga një makinë, ndërsa është transportuar me urgjencë për në spital, sepse pjesë nga lëvozhga e vezës i hynë në njërin sy, duke e dëmtuar keqas.
Policia italiane po kërkon autorët, por nuk e cilëson sulmin si racist, edhe pse duket qartë që ka trajtat e racizmit, pasi sportistja dhe shoqet e saj nuk e kishin idenë kush e sulmoi.
I ashpër reagimi i drejtorit të Corriere dello Sport – Stadio, Ivan Xaxaroni, i cili në Twitter postoi lajmin dhe shkroi: “Ajo është Deisi Osakue, 22 vjeç, nga Torino, kombëtarja ITALIANE e atletikës. Natën e shkuar një grup racistësh e sulmoi në Monkalieri. Nuk ishin m**, sepse m**i zhduket nga shiu ose thahet nga dielli”.
Lei è #DaisyOsakue, 22 anni, torinese, nazionale ITALIANA di atletica. L’altra notte un gruppo di razzisti l’ha aggredita a Moncalieri.
Non erano merde: le merde con la pioggia e il sole spariscono o si seccano. pic.twitter.com/JOFLGY6vdy— Ivan Zazzaroni (@zazzatweet) July 30, 2018