Skandaloze në derbin e Rumanisë/ Hije dyshimi për trukim! Arbitri shpik një penallti, lojtarët as që protestojnë

Rumania ka një problem të madh sa i përket rezultateve të dyshimta, skandaleve dhe ndeshjeve të trukuara. Një derbi e ligës së dytë në Rumani është kthyer në kryefjalën e shumë mediave të njohura në Europë. Petrolul ishte duke u përballur me Craiovën dhe rezultati ishte në shifrat 0-1. Në minutën e 83 të takimit vjen edhe episodi që do të komentohej gjerësisht. Një simulim i turpshëm ka ardhur nga ana e Balint, lojtari vendas, që ka aktruar turpshëm duke u hedhur vetë mes ulërimash, pa pasur asnjë kontakt me kundërshtarët.

Në pamje të parë një aktrim i dështuar, por mjaftueshëm që më i rëndësishmi i takimit, gjyqtari Ionut Coza “ta duartrokasë” këtë vepër dhe të drejtojë gishtin te shenja e penalltisë. Ndërkohë edhe më i çuditshëm është fakti se askush nga lojtarët e Craiovës nuk ka reaguar te arbitri për t’i kërkuar të drejtën.

Si të ishte një vendim tërësisht normal me pak zhgënjim të treguar, megjithëse ishim duke folur për një ndeshje derbi dhe ku një penallti fantazmë pa asnjë kontakt të vetëm do të ndryshonte fatin e takimit në minutat e fundit. Por gabimi në ekzekutim nga ana e ish-sulmuesit të Ëolves, Beleck, do t’i shuante disi hijet e dyshimit për një trukim në rezultat, ndërsa gjithçka përfundoi në shifrat 0-1. Ndërkohë vendimi i arbitrit mbetet një skandal i madh në futbollin e Rumanisë dhe që e ktheu këtë vend që të bënte xhiron e mediave në Europë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *