Skënderbeu ia doli që të fitonte me shifrat 2-1 ndaj Kastriotit në një finale direkte mbijetese. Megjithëse jemi ende në javët e para, por në këtë mënyrë u zhvillua dhe përjetua ndeshja. Në acarin e Korçës, gjakrat ishin ndezur shumë. Konflikte të shpeshta u shfaqën mes lojtarëve gjatë ndeshjes dhe në fund, ndodhi skandali i vërtetë.
Ndreu ishte i mërzitur me vonesat e lojës së rivalit dhe zgjodhi mënyrën e tij për të shprehur mllefin, në atë mënyrë që në fakt kishim vite që e kishim harruar. Tekniku i krutanëve ka goditur fizikisht lojtarin Vitija duke befasuar jo pak kampin e Skënderbeut që prisnin qetësimin e situatës nga Ndreu, si shëmbëlltyra e skuadrës.
Përtej rezultatit të arritur, këto pamje janë imazhet që nuk duhen përsëritur më në të ardhmen pasi ndikojnë në prishjen e imazhit të Kastriotit fillimisht, e më pas të “Abisnet Superiore”-s. Fundja, një “fitore e tillë” me vonesa të lojës u arrit në sezonin e shkuar, kur Kastrioti ndali hovin e madh të Vllaznisë. Asokohe shijoi shumë te krutanët, por Vllaznia nuk bëri të njëjtin reagim./Sport Ekspres/