Ky Europian është vërtet poshtë pritshmërive dhe nivelit që të gjithë prisnin. Shumë surpriza të mëdha, po ashtu edhe shumë marrëveshje mes Kombëtareve, për të përfituar të dyja dhe për të kaluar turin, duke mos rrezikuar asgjë. Këtë herë ndodhi në ndeshjen mes Sllovakisë dhe Rumanisë.
Gjithmonë jeni mësuar që pas një ndeshje të festojë një krahë ekipi dhe tjetri të mërzitet, por pas përballjes mes Sllovakisë dhe Rumanisë, pas vërshëllimës së trefishtë, ishin të dyja ekipet që nisën festën për kalimin më tej.
Që në këtë moment ngrihen dyshimet se diçka nuk është e zakonshme. Madje edhe në kompanitë e basteve kishte një të pazakontë, barazimi mes këtyre dy Kombëtareve kuotohej me koeficentin 2.20, duke e treguar qartë se pritej që këto dy ekipe të ndanin një pikë.
Për më tepër penalltia e dhënë në favorin e Rumanisë ishte shumë e turpshme. Një faull që nis jashtë zonës, lojtari i rumunëve bie brenda zonës dhe arbitri që jep penallti, pavarësisht se ekzistonte VAR.
Me këtë pikë të marrë, Sllovakia dhe Rumania kanë kaluar më tej dhe janë kualifikuar nga faza e grupeve teksa kishin sigurinë se Ukraina nuk do të merrte më shumë se një barazim ndaj Belgjikës. Dhe në këtë skemë u godit pikërisht Ukraina, që për fat të keq e pa veten të eliminuar dhe pse grumbulloi 4 pikë.
Komentet në Ukrainë nga media sportive ishin të tilla: “Penalltia e dhënë për Rumaninë ishte skandaloze”. “Si mund të jepet kjo penallti? Kontakti i parë ishte jashtë zonës”. “Rastësi e madhe apo fati i çuditshëm? Sllovakia dhe Rumania ndajnë pikët”.
Ndërkohë gjithë dyshimi i ngritur në media sportive europiane ka sjellë edhe reagimin e ashpër të trajnerit të Rumanisë, Iordanescu: “Disa njerëz duhet të na kërkojnë falje për mënyrën sesi folën se ndeshja jonë kundër Sllovakisë ishte e fiksuar. Ata hodhën baltë kundër nesh dhe tifozëve tanë”, tha trajneri i Rumanisë. /Sport Ekspres/