Dyshime për doping për një prej yjeve të përfaqësueses ruse, që shkëlqeu në Botërorin 2018. Në bankën e të akuzuarve është Denis Çerishev.
Ish-lojtari i Realit të Madridit, që këtë sezon mbron ngjyrat e Valencias, dyshohet se ka përdorur substanca të ndaluara përpara evenimentit të verës. Gazeta “Telegraph” shkruante se Çerishev ka marrë injeksione me hormonin e rritjes gjatë grumbullimit.
Hipoteza është hedhur bazuar në disa deklarata të babait të futbollistit, për “Sport Weekend”, për të cilat kanë reaguar edhe instancat në Rusi. Sipas Federatës së Futbollit, deklaratat janë keqinterpretuar nga gazetari, pasi substancat e përdorura janë të ligjshme dhe shërbejnë për të ndihmuar në riparimin e indeve të buta.
Akuzat për talentin rus janë hedhur poshtë si nga Anti-Dopingu spanjoll, ashtu edhe nga ai në vendin e tij. Të dy këto institucione mohuan përdorimin e hormonit të rritjes. Të paktën deri në zbulimin e fakteve të reja, Çerishev mund të qëndrojë i qetë.