Kosova ka luajtur sot ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve, të cilën e ka fituar me rezultatin e thellë 0-4. Por përpos anës sportive, në këtë ndeshje është përfshirë edhe politika. Tifozët e Qipros kanë shpalosur një baner ne minutat e fundit të pjesës së parë, ku shkruhej: “Kosova është Serbi, Qipro është Greqi”.
Lojtarët e Kosovës kanë sinjalizuar arbitrin kryesor të takimit, i cili ka pritur që sigurimi i stadiumit të largonte këtë banderolë. Ai që vihet re është fakti se numri i tifozëve në stadium ishte shumë i vogël, çka e bënte të lehtë kontrollin e tyre përpara hyrjes në stadium.
Ndërkohë UEFA duhet të marrë masa për këtë rast, i cili është i përsëritur për Kosovën. Preçendenti i fundit ishte ai në Rumani, ku një baner me të njëjtin mesazh u shpalos në stadium. Kjo histori duhet të marrë fund njëherë e mirë, pasi Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran dhe si i tillë duhet të trajtohet. Politika nuk duhet të ketë vend në stadium./Halit Delibashi-Sport Ekspres/