Pavarësisht ecurisë positive të futbollit shqiptar në këto vite të fundit, problemi që kurrë nuk ishte zgjidhur mbetej ndryshimi i mentalitetit. Aktivizimi i lojtarëve të rinjë ndodhte zakonisht në ekipe që kishin kapitulluar prej kohësh dhe shihej si një zgjidhje për të dhënë rroga sa më të ulëta.
Nga ana tjetër, sa i përket trajnerëve, ishte akoma më keq. Thuajse të njëjtat emra qarkullonin kudo aq sa shprehja: “Fiton ndaj ish-skuadrës”, i kishte humbur tërësisht kuptimi. Por në këtë sezon 2021-2022, thuajse si asnjëherë tjetër, kemi një ndryshim të madh në këtë aspekt.
Mehmeti që ka punuar prej disa vitesh te Partizani i besohet ekipi i parë, Arapi që ka qenë pjesë e Teutës prej kohësh i besohet ekipi i parë, Plori që e njeh Vllazninë më mirë se të gjithë i besohet ekipi i parë, Cela që e njeh Kastriotin me “sy mbyllur” i besohet ekipi i parë.
Emra të rinjë sa i përket drejtimit në Superiore që i bashkohet edhe kryesuesi aktual, Orges Shehi, i cili me pak vite eksperiencë në rolin e ri po jep leksione të mëdha. Ndërkohë ardhja e Skënder Gegës, Mirel Josës dhe Zekerija Ramadanit shtojnë përvojën dhe përmbyllin “ADN-në” shqiptare që deri tani po i reziston vetëm udhëheqësi i Kukësit, Longo. /Sport Ekspres/