Bylisi është një surprizë e bukur e Superiores në këto 5 javë të para. Sigurisht që jemi shumë herët për të bërë analiza të thella, por duke parë atë që kjo skuadër ka shfaqur deri tani në fushën e lojës, po konkurron në mënyrë dinjitoze.
Dyshimet më të mëdha ishin në pjesën se kjo skuadër do të ishte një “kockë e fortë” vetëm brenda shtëpisë, apo do të rezulton e tillë edhe jashtë saj. Prova e Partizanit e tregoi të vërtetën, me Bylisin që bëri gjithçka vetë.
Nga loja, te aksionet e rrezikshme, autogolin dhe golin për ta mbyllur në 1-1. Duke parë kalendarin e Superiores në javën e gjatë, Bylisi ka shanse të mëdha për të tentuar edhe një kryesim të përkohshëm.
Kështu ky ekip do të pres në shtëpi Flamurtarin që ka festuar në ndeshjen e fundit për pikën e parë të marrë në kampionat. Ndërkohë tre ekipet e tjera që gjenden më sipër në renditje kanë teste më shumë se të vështira.
Tirana kryesuese duhet të thyej një mallkim të gjatë në derbi me Partizanin, ndërsa një pikë e marrë këtu dhe një fitore e Bylisit, do i nxirrte këto dy ekipe si kryesuese. Nga ana tjetër Kukësi do të ketë një tjetër mision të vështirë në transfertë, me Teutën e Shkëmbit që kërkon pikë më shumë se kurrë. E për ta mbyllur këtë llogari, Vllaznia do të presë në shtëpi Skënderbeun atje ku objektivi është të dilet me pikë, mundësisht me fitore. /Sport Ekspres/