Nga Klaudio Ndreca
Një situatë vërtet e pazakontë është edhe për Jasir Asanin në Suedi. Ky futbollist mund të quhet shumë i pafat teksa në momentin që duhej të shënonte kulmin e karrierës është hasur me një vështirësi si e Koronavirusit.
Ashtu si gjithë të tjerët në fakt, por në vazhdimësinë e tij ka ndikuar edhe më tepër. Kjo pasi iku nga Partizani si huazim me të drejtë blerje, ndërsa po skadon koha e marrëveshjes dhe kampionati në Suedi është mbyllur përkohësisht. AIK po pret për të vlerësuar situatën, me Asanin që nuk ka pasur mundësinë të tregojë vlerat e tij në fushë. Ndërkohë nga fjalët e vetë menaxherit duket qartë presioni i një largimi të mundshëm dhe mbyllje e një aventure, që nuk ka nisur thuajse kurrë.
“Është një situatë shumë e vështirë. Ky është vendimi i AIK-ut. Unë i respektoj të gjithë në AIK, është një klub i madh në Suedi. Jam këtu vetëm për t’u kujdesur për kontaktet midis AIK-ut dhe FK Partizanit. Unë pres që do të kemi bisedime me AIK-un në muajin tjetër. Por ky është vendimi i tyre.
Unë flas me Jasirin çdo ditë. Ai dëshiron të qëndrojë në AIK. Është një djalë i mirë, punon shumë çdo ditë dhe bën sa më mirë që të jetë e mundur në këtë situatë të vështirë që ka lindur. I pëlqen Stokholmi, Suedia dhe AIK. Por ne do të shohim se çfarë ndodh.
Asani nuk pranoi një numër sugjerimesh sepse vërtet dëshironte të vinte në Suedi dhe të luante në AIK. Atëherë atij i duhej të bënte vetëm tre ndeshje para se të mbyllte sezonin, pak para ndeshjes së tyre të madhe kundër Malmö (çerekfinalja në kupë)”, tha Jovkov. /Sport Ekspres/