Situata e pazakontë e Vllaznisë në këtë Superiore, nuk duhet të luajë në “Loro Boriçi”

Pas 20 javësh kampionat Vllaznia mban vendin e 7 në tabelën e klasifikimit në Superiore. Nëse për shumë ekipe të luajturit në shtëpinë e tyre është një motiv plus për të dalë nga stadiumi me 3 pikë, te klubi shkodran duket të jetë e kundërta, duke krijuar kështu një situatë të pazakontë. “Loro Boriçi” ka rezultuar një fushë ku Vllaznia nuk ka arritur që të lërë gjurmë këtë sezon.

Krejt e kundërta ka ndodhur në transfertat e shkodranëve, ku të fituarit nuk ka qenë një mision i vështirë për ta. E nëse kampionati do të bazohej vetëm në ndeshjet jashtë, atëherë do të kishim një ndryshim rrënjësor sa i përket pozitës së shkodranëve, që do të mbanin kreun. Me sa duket faktori fushë nuk vlen për Vllazninë, që do e kishte më të lehtë këtë sezon nëse do i luante të gjitha ndeshjet jashtë shtëpie. Pra nëse ekipi i Jonuz nuk kishte të bënte me “Loro Boriçin”, në ritmin e transfertave Europa do të ishte një objektiv i padiskutueshëm.

Por përse vjen kjo situate? Jonuz do të jepte një shpjegim kohë më pare, se lojtarët nuk arrijnë të përballojnë dhe shfrytëzojnë mirë fushën e tyre pas asaj rënie në Kategorinë e Parë që duket se rëndon ende te futbollistët. E për më tepër në ndeshje të tilla si ajo e së premtes ndaj Tiranës, ku shkodranët kanë gabuar gjithmonë me ekipet e mëdha në “Loro Boriçi”. A do të jetë kjo kthesa? Pritet ta shohim./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *