Situata e çuditshme/ Rri në stol dhe ka shënuar 2 gola në 18 ndeshje, trajneri i Qarabag çudit me Redon Xhixhën: Nuk do largohet

Redon Xhixha është cilësuar si një prej talenteve më të mëdhenj që ka dalë nga futbolli shqiptar. Në kohën kur ishte te Tirana, padyshim që ky lojtar mori vëmendjen e të gjithëve dhe shumë prisnin sa i përket karrierës së tij, madje duke kritikuar edhe trajnerin e Kombëtares për mungesën e ftesës.

Pas kalimit te Qarabag, që në ndeshjet e para Xhixha tregoi se ishte një tjetër nivel i lartë për këtë kampionat. Por me kalimin e kohëve, futbollisti “u zhduk” papritur dhe përfundoi në lojtar stoli. Xhixha kërkoi largimin që në sezonin e shkuar në merkaton e dimrit për të pasur mundësinë që të luftonte për një vend në Europian me Kombëtaren, megjithatë kjo dëshirë nuk iu realizua.

Sërish edhe në merkaton e verës ishte e njëjta situatë, teksa klubi nuk e lejoi të largohej. Së fundmi Xhixha ka pohuar se ka interes nga ekipet shqiptare dhe se do të largohej në merkaton e dimrit. Por teksa gazetarët në Azerbajxhan e kanë pyetur trajnerin e Qarabag, Gurbanov, nëse Xhixha do të jetë largimi i parë, përgjigja e tij ishte befasuese dhe e çuditshme: “Jo, nuk po mendoj për këtë gjë, nuk do të largohet Xhixha”. Akoma më e çuditshme është fakti se Qarabag po mban me të gjitha mënyrat një lojtar që gjatë gjithë sezonit po e lë në stol dhe statistikat e tij janë shumë të këqija, vetëm 2 gola të shënuar në 18 ndeshjet e fundit dhe kjo jo për faj të Redonit që gjithmonë e nis ndeshjen nga pankina. /Sport Ekspres/