Një e veçantë në këtë Europian është edhe zhgënjimi i marrë nga sulmuesit e shumëpërfolur. Thuajse të gjithë futbollistët yje që luajnë në majën e sulmit kanë zhgënjyer në këtë kompeticion. Kristiano Ronaldo është lojtari që ka shënuar më tepër gola, 5 të tilla dhe 1 asist, por Portugalia nuk arriti as çerekfinalen duke humbur me Belgjikën.
Pra situata është e tillë ku Ronaldo që nuk ka shkuar as në këtë fazë të Europianit mund të shpallet si futbollisti që ka realizuar më shumë gola. Nga ana tjetër shumë zhgënjim ka për Harry Kane, Alvaro Moratën, Romelu Lukaku e shumë emra të tjerë.
Kush ia rrezikon Ronaldos vendin e parë? Vetëm dy janë kandidatët më serioz që mund t’ia marrin këtë çmim yllit portugez. I pari është sulmuesi i Çekisë, Patrick Shick. Ky i fundit ka realizuar 4 gola dhe nuk ka dhënë asnjë asist. Për të kaluar Ronaldon kërkohet më së paku 2 gola deri në fund e turneut ose 1 gol dhe 2 asist. Në rast barazimi të statistikave është portugezi që fiton pasi ka qenë më shumë produktiv në më pak minuta loje.
Kandidati tjetër serioz për të kaluar Ronaldon është Sterling, por ky i fundit e ka më të vështirë. Lojtari i Manchester City duhet të shënojë 3 gola ose të realizojë 2 gola dhe të jap 2 asist. Duke parë që Anglia luan sot kundër Ukrainës dhe në gjysmëfinale përballet me fituesin e çiftit Danimarkë-Ceki, nuk do të jetë e pamundur.
Ndërkohë nga kandidatët e tjerë kërkohen 3 gola nga Yarmolenko që luan me Ukrainën dhe do të përballet kundër Anglisë, 3 gola nga Sarabia që gjen në gjysmëfinale Italinë dhe 4 gola ose 3 gola dhe një asist nga futbollistë si Imobile, Torres apo Yaremchuk. Pra këto kombinime të fundit janë thuajse të pamundura për të ndodhur. /Sport Ekspres/