Sindrit Guri ishte mungesa e madhe e Kukësit ditën e djeshme. Sulmuesi nuk u paraqit në seancën e pasdites dhe bëri jo pak çudi. Megjithatë, lojtari kishte arsye dhe ka marrë leje për dy ditë.
Arsyeja? Shkodrani ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Italisë për të tërhequr pasaportën, pasi tashmë ka marrë nënshtetësinë e vendit fqinj.
Në këtë mënyrë Guri i ka hapur shumë dyer vetes. Nga momenti që sulmuesi posedon një pasaportë italiane nuk do të konsiderohet më një lojtar ekstrakomunitar, çka i krijon hapësirë për t’u transferuar në skuadra jashtë vendit pa u privuar prej pasaportës. Bëhet me dije se janë plot tre skuadra që kërkojnë shërbimet e sulmuesit.