Sindikata e Futbollistëve kërkesë qeverisë shqiptare, mendon edhe për Kategorinë e Parë dhe të Dytë

Pasojat e lëna nga pandemia Koronavirus janë të mëdha, ku përpos dëmit shëndetësor renditet edhe ai ekonomik. E nga kjo kategori nuk shpëtojnë as klubet e futbollit, të cilat kanë nisur të ndjejnë që tani atë rrezik që i kanoset përpara. Federata Shqiptare e Futbollit së bashku me Ligën Profesioniste i kanë bërë kërkesë zyrtare qeverisë së vendit tonë për të mbështetur financiarisht ekipet e Superiores.

Në mbështetje të kësaj ideje vjen edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë, që me shkresë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Këshillit të Ministrave kërkon prej këtyre të fundit që përpos klubeve të Superiores të kompensohen për dëmet financiare të lëna pas nga pandemia Covid-19 edhe lojtarët dhe stafet drejtuese të Kategorisë së Parë dhe asaj të Dytë si dhe futbollistet femra. Buxheti i skuadrave shqiptare të futbollit në Shqipëri nuk është i lartë dhe kjo situatë padyshim që e rrezikon ndjeshëm gjendjen e tyre financiare, ndërsa një kompensim nga shteti shqiptar do të ishte një ndihmë e madhe për klubet dhe për futbollistët e kampionateve tona./Sport Ekspres/