E bën për të acaruar kundërshtarët, për të qeshur apo për fotografët. Kritikat nuk kanë munguar, por edhe në Soçi, në stërvitjen e fundit të Brazilit përpara nisjes në Kazan dhe ndeshjes çerekfinale me Belgjikën, Nejmar bëri një prej lëvizjeve më të famshme të tij për momentin: simulimin.
Gjatë nxehjes së skuadrës, sulmuesi përfundoi në tokë mes të qeshurave të shokëve. Ashtu si ka ndodhur shpesh edhe gjatë këtij Botërori, Nejmar vendosi duart në fytyrë dhe u rrotullua në fushë. Një skenë që shkaktoi ilaritet në radhët e përfaqësueses braziliane, edhe sepse shokët e skuadrës e kanë parë shpesh ti bëjë këto veprime në ndeshje, ku rasti më i fundit ishte ndaj Meksikës.
Por, jo gjithçka mbetet në kuadrin e shaksë. Televizioni zviceran RTS publikoi një të dhënë mjaft interesante dhe që padyshim ka shkaktuar shumë debate. Me simulimet dhe rrotullimet e tij në fushë, Nejmar ka qëndruar për plot 14 minuta i shtrirë në katër ndeshjet e luajtura deri më tani nga Brazili. Megjithatë, një tjetër e dhënë e pakundërshtueshme është edhe fakti që me 23 ndërhyrje të parregullta, sulmuesi i Paris Seint Zhermen është lojtari që ka pësuar më tepër faulle në Botërorin në Rusi.