“Silvinjo nuk e diskuton më, Broja është maja e sulmit”, Alliu: Ai e merrte topin vetë nga mesi i fushës dhe shkonte në sulm, nuk humbi asnjë top

Ilirjan Alliu ishte i ftuar në studion e “Report TV”-së për të diskutuar mbi paraqitjet e ekipit tonë kombëtar në dy takimet miqësore që u zhvilluan së fundmi. Ish-lojtari i Kombëtares ka mbetur mjaft i kënaqur nga paraqitja e Armando Brojës. Alliu ka thënë se Broja nuk humbi asnjë top përballë Suedisë dhe se i punoi i vetëm aksionet sulmuese kundër nordikëve. Sipas ish-lojtarit të Tiranës, Silvinjo nuk do ta vërë në diskutim praninë e Brojës në majën e sulmit të kuqezinjve pas kësaj miqësoreje.

“Broja ka një vit e disa muaj pa aktivitet të rregullt futbollistik. Për ne ishte dilemë e madhe se cila do të jetë forma e Brojës. Për ne që jemi marrë pak me sport, vendosim pritshmëri të tjera në raport me lojtarin, duke ditur edhe që do një farë kohe që të rekuperohesh e përmirësohesh që të arrish atë shkëlqimin fizik. Broja për këtë ekip dje vërtetoi diçka. Bëri 77 minuta fantastike në raport me pritshmëritë tona. Vjen nga një dëmtim i gjatë. Me peshën që ka ai si futbollist, me volumin fizik të atij futbollisti janë shumë të vështira rekuperimet. Broja ishte i freskët fizikisht. I qartë dhe i orientuar shumë mirë në fushë. I vetmi futbollist që mbante në presion 2-3 futbollistë të Suedisë, për shkak të cilësive fizike që ka dhe të shpejtësisë së punës me topin.

Nga Broja, për 77 minuta nuk i mori askush topin në dyluftim. Doli me topin në këmbë nga dyluftimi, që janë element shumë të vështirë të futbollit. Startoi vetë. Bëri vrapin 30 metra, 40 metra, 50 metra me sprint. Rrezikon te porta dhe në çdo rast që arritën ta ndalonin, faulli ishte në favorin tonë. Do të thotë që të mos humbësh asnjë top. Unë për vete jam shumë i kënaqur nga Broja. Ai është futbollist i karakteristikave të atilla që ti duhet t’i sigurosh pasin e mirë që Broja të ekzekutojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Do edhe ndihmën nga pas. Në gjuhën teknike, Broja e merrte topin vetë nga mesi i fushës dhe shkonte deri në sulm vetë, pa ndihmë pas. Por të jesh i sigurt që trajneri nuk e diskuton më. Broja do të jetë maja e sulmit, shpresojmë që të jetë mirë me shëndet deri atëherë”, ka thënë Ilirjan Alliu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/