“Silvinjo kontradiktor, Gjasula dhe Abrashi janë hap pas”, Hafizi: Vendi i 3-të do të ishte suksesi më i madh i historisë sonë

Astrit Hafizi ka folur për mikrofonin e “Vizion Plus”-it në lidhje me listën provizore të Silvinjos për Kampionatin Europian. Ish-trajneri i Kombëtares ka thënë se braziliani ishte kontradiktor në argumentimin e listës, ndërsa rikthimin e Gjasulës dhe Abrashit e sheh hap pas. Sa përket turneut EURO 2024, Hafizi është shprehur se pozicionimi në vendin e 3-të do të ishte suksesi më i madh i të gjitha kohërave për kuqezinjtë.

“M’u duk pak kontradiktor me lojtarët që ka marrë dhe me lojtarët që ka lënë jashtë. Nuk e mora vesh, a ishin të dëmtuar një pjesë, apo ishin në mungesë të aktivizimit apo formës 100%? Pra, kishte disa momente kur përplasej ajo çfarë mendonte me atë që kishte në listë. Në qoftë se i referohemi rikthimit të disa lojtarëve, siç është Abrash apo Gjasula, mendoj që është një kthim mbrapa. Ne duhet të dimë se kush jemi. Të njohim mirë veten tonë. Nëse arrijmë të dalim të 3-tët në grup, mendoj që kemi arritur suksesin më të madh të historisë sonë”, është shprehur Astrit Hafizi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/