Siljanovski-Daja, dy çështjet e Flamurtarit

Trajneri do të vendoset javën e ardhshme, ndërkohë që po punohet intensivisht për të bindur mbrojtësin maqedonas. Priten zhvillime të rëndësishme

Elton Nika

Trajneri i ri i Flamurtarit pritet të vendoset javën e ardhshme. Emri tashmë dihet, Ilir Daja. Edhe Ardi Behari është kandidat, megjithatë  tekniku i Skënderbeut aktualisht mbetet më i favorizuar. Vlonjatët kanë një gjysmë fjale nga Daja, por tashmë pritet që gjithçka të vendoset zyrtarisht dhe java e ardhshme do të jetë vendimtare. Emërimi i tij si trajner vlen edhe për të përcaktuar më pas edhe strategjinë në merkato të Flamurtarit, duke nisur me listën e lojtarëve që do të mbërrijnë në Vlorë, por edhe cilët nga aktualët do të rinovojnë. Sikurse edhe konfirmohet, Ilir Daja pritet të ketë edhe një takim me drejtuesit e Skënderbeut, por në Vlorë janë të bindur se trajneri do të jetë në krye të pankinës kuqezi për dy sezonet e ardhshme. “Sport Ekspres” mëson se është pikërisht kjo kontrata që drejtuesit e Flamurtarit i kanë ofruar Ilir Dajës, pra për të qenë për dy vite në krye të skuadrës vlonjate. Nuk bëhen të ditura termat financiare, pasi nuk është arritur ende akordi përfundimtar. Gjithsesi flitet për shifra mjaft të kënaqshme, por java e ardhshme do të jetë vendimtare për emrin e trajnerit të skuadrës së Flamurtarit. Ilir Daja duket i  destinuar për të shkuar drejt Vlorës, por gjithsesi pritet një përgjigje përfundimtare nga ana e Dajës.

RINOVIMET – Flamurtari ngulmon për ta mbajtur edhe një vit pjesë të ekipit mbrojtësin Goran Siljanovski. Maqedonasi ishte një nga lojtarët më cilësorë të sezonit të kaluar, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka patur oferta në drejtim të tij, si nga kampionati maqedonas, ashtu edhe nga kampionati kroat. Megjithatë drejtuesit e Flamurtarit dëshirojnë sërish shërbimet e lojtarit edhe për sezonin  ardhshëm futbollistik. Për momentin Siljanovski nuk ka kthyer ende një përgjigje përfundimtare, pasi është duke studiuar të gjitha ofertat që kanë mbërritur në drejtim të tij. Sa i takon kontratës së re që do t’i ofrohet, mund të ketë edhe përmirësim të kontratës, nëse Siljanovski pranon rinovimin. Tani mbetet për t’u parë gjithçka, por duhet thënë se kontaktet mes lojtarit dhe klubit të Flamurtarit vijojnë të jenë të shpeshta. Deri më tani kanë rinovuar lojtarë si Useini, Musta dhe Bushiç, ndërkohë që po punohet maksimalisht për të konfirmuar për të paktën edhe një vit kontratën me Siljanovksin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *