Nga Klaudio Ndreca
Në Angli ka pasur shumë polemika pas vendimit të CAS për t’i hequr dënimin Manchester City-t për pjesëmarrjen në Europë. Të shumta ishin ekipet që prisnin penalizimin e “qytetarëve” për të humbur dy vite “Champions League”.
Por kjo nuk ndodhi dhe për këtë arsye kanë reaguar trajnerë të njohur të “Premier League” dhe figura ikonë të futbollit anglez. Më të veçanta ishin fjalët e Murinjos i cili u shpreh se nuk e kuptonte se përse Manchester City u dënua vetëm me gjobë prej 10 milionë eurosh, kur rezultoi si i pafajshëm.
Tashmë ka ardhur edhe reagimi i Guardiolës që ka folur hapur dhe si kurrë më parë. Për të gjithë ata që shtronin tezën: “Nuk është trajner i madh, shkon te klubet që kanë të gjithë yjet”, tashmë e kanë përgjigjen e tyre nga vetë tekniku në fjalë.
“Ne e donim Sanchezin, por nuk mund ta përballonim dot që të nënshkruanim me të. Ne e donim Maguire, por nuk mund ta përballonim dot që të nënshkruanim me të. Nuk mund të paguanim si Manchester United ka paguar. Ne kemi para, por edhe klubet e tjera kanë. Por a kemi shpenzuar ne më shumë para sesa në dekadën e fundit? PO! Përpara nja 20-30 vitesh, Arsene Wenger, ai njeriu që po mbron në mënyrë perfekte Fair Play-n Financiar, shpenzoi shumë para që të mbërrinte deri këtu. Manchester United me Fergusonin shpenzoi shumë para që të mbërrinte deri këtu.
Të gjitha klubet që duan të jenë më të mirat, duhet të shpenzojnë, të gjitha klubet. Nëse nuk e bën? Është më e vështirë. Sepse një trajner i mirë siç jam unë, nuk do të jem i mirë mjaftueshëm nëse nuk do të kem lojtarë me nivel. Nuk ka shanse. E pranoj që pa lojtarët nuk jam asgjë, zero jam. Për këtë arsye më nevojitet një klub me financa të forta”, tha Guardiola. /Sport Ekspres/