“Si kanë fytyrë që shkojnë në shtëpi”, Karrager shigjeton milionerët që simulojnë

Xhemi Karrager ka sulmuar në mënyrë të hapur dhe të ashpër lojtarët e Paris Seint Zhermen, pas simulimeve të shumta në fushën e lojës, gjatë fitores përballë Liverpulit në Champions League. Kjo sjellje e milionerëve francezë u evidentua fillimisht nga trajneri Jurgen Klop, ndërsa ish-mbrojtësi i “Reds” shfrytëzoi asistin e dhënë.

Zemërimi i Karrager u përqendrua kryesisht te Nejmar, por shigjetimeve nuk i shpëtuan as emrat e tjerë të mëdhenj të PSG-së: “Ishte realisht shumë zhgënjyese. Nejmar nisi të shtrihej në fushë prej pjesës së parë. Po flasim për një prej lojtarëve më të mëdhenj në botë, por është e sikletshme të shohësh veprime të tilla”.

“Nëse vazhdon të luajë kështu gjatë gjithë karrierës, më tepër sesa për cilësitë e shkëlqyera dhe lojën e tij, do të mbahet mënd për simulimet, të cilat të lënë një shije shumë të keqe. Edhe kapiteni i parizienëve, Tiago Silva, nisi të rrotullohej në cepin e fushës pranë goditjes së këndit dhe mbante fytyrën me duar”.

“Kjo është një skuadër e madhe, me futbollistë të mëdhenj dhe nuk ka nevojë të përdorë taktika të tilla. Ata duhet të lënë futbollin që të flasë. Nuk e kuptoj si nuk kanë turp për këto veprime, kur kthehen në shtëpi pranë bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *