Florentino Perez është në histori, me 5 Champions League të fituara, nga 13 në total që ka fituar Reali. “Sheiku” i futbollit ka qenë i pari që ka vendosur rekorde shpenzimesh në merkato, që në fillim të shekullit, por këto vitet e fundit është ndalur te rekordi i blerjes së Geret Bejlit, ndërsa më pas ka vendosur vetëm rekorde sportive.
Me të drejtë i lumtur bosi i Los Blancos: “Fituam Champions League për të tretën herë rresht, me lojë të bukur, duke mundur me radhë kampionët e Francës, Italisë, Gjermanisë dhe më pas një Liverpul të madh. Ky Real është vërtet magjik, do thosha historik, për atë që kemi bërë. Tani them që duam edhe Champions të sezonit të ardhshëm”.
Zidan merr elozhe të veçanta: “Ka ndryshuar lojën e Realit, ka nxjerrë në pah cilësitë e skuadrës. Lojtarët shohin tek ai një ‘ish’ shumë të rëndësishëm, personaliteti dhe karizma e tij kanë qenë thelbësore për të arritur këto fitore. Zidan e di çfarë është madridizmi dhe di t’i administrojë shumë mirë lojtarët, shpresojmë që të vazhdojmë të fitojmë me të në stol. Bejl? Është një ndër më të mirët në botë, ishte shumë i motivuar për këtë ndeshje. Shënoi një gol të pabesueshëm, ishte vendimtar në çdo drejtim”.
Po Ronaldo, që ka deklaruar se mund të largohet? “Ka thënë që ishte e bukur të luante në Madrid, sepse vërtet është kështu. Ai ka fituar 5 Champions, 4 me Realin, besoj se në Madrid ekziston gjithçka që u lejon lojtarëve të fitojnë këtë trofe. Ka një kontratë, është normale që të qëndrojë”.