Shtyrja e kampionatit dhe arbitri “i sajuar”, Mema flet pas ndeshjes

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema foli për gazetarët e pranishëm në “Selman Stermasi” pas ndeshjes kundër Korabit. Tekniku i bardhebluve foli për shtyrjen e kampionatit, ndeshjen e Kupës kundër Laçit dhe për bojkotin e arbitrave. Në fjalën e tij, Mema tha:

SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Na e uli disi ritmin, të paktën me çfarë treguam kundër Partizanit. Gjithsesi, duhet ta përgatisim ekipin për vazhdimësi, sepse na presin ndeshje shumë të vështira.”

ARBITRI – “Ishte zgjidhje momentale, pasi arbitrat nuk pranonin dhe të drejtë kishim. Kjo ndeshje ishte më shumë si stërvitje, pasi aktivizova shumë lojtarë. Pjesa tjetër vazhdoi me vrapimet.”

NDESHJA E KUPËS – “Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por kemi problem se jemi pa tifozë. Është ndeshje Kupe dhe duhet ta përgatisim shumë mirë. E para nuk duhet të pësojmë gol dhe ta fitojmë ndeshjen në Tiranë, që të shkojmë të qetë në Laç.”

DËMTIMET – “Po merremi me programe individuale me disa lojtarë. Tirana ka nevojë për lojtarë. Bisedova me Oduamadin dhe me Sentamun, që filloi sot të marrë ngarkesa. Duhet t’i përgatisim sa më shpejt.”

GARA – “Dënimi i Kamzës e prish garën. Kundërshtarët tanë direkt kanë marrë nga gjashtë pikë. Gjithsesi, ne duhet t’i bëjmë hyzmetin ndeshjeve, pasi Tirana ka mundësi që të ngjitet shumë më sipër. Ndeshjet duhen marrë hap pas hapi.”

PËRGATITJA KUNDËR LAÇIT – “Mendojmë që të mos pësojmë gol, pasi është ndeshje me specifikë të veçantë, sepse goli në transfertë na ndëshkon shumë. Do të mundohemi të përgatisim sa më mirë ndeshjen”- përfundoi Mema.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *