Besëlidhja ka arritur ditën e sotme atë që pak kush mund ta mendonte disa javë më parë. Lezhjanët kanë larguar nga gara për trofeun e Kupës së Shqipërisë klubin e Partizanit. Një fitore 3-0 e siguruar në shtëpi dhe një gol i shpejtë në takimin e sotëm sollën edhe eleminimin e “demave të kuq” që në fazën e 1/8-ave.
Festa është mëse legjitime për skuadrën e Kategorisë së Parë që këtë sezon ka si objektiv ngjitjen në elitë. Në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Elbasan Arena” nuk mund të mungonte atmosfera festive e klubit të Besëlidhjes. Këta të fundit kanë pozuar madje të gjithë së bashku duke shkrepur një foto në të cilën shfaqen duke bërë shenjën e heshtjes. Një mesazh ky i qartë për çdo person që përpara takimit mund të ishte kritik e të besonte se kualifikimi i lezhjanëve ishte i pamundur./Sport Ekspres/