Futbolli ka ndaluar të luhet këto kohë si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, ndërsa ende nuk dihet momenti se kur lojtarët do të rikthehen sërish në fushën e lojës. Por përveç kësaj një sfidë e vërtetë duket fakti se si klubet do ia dalin për të mposhtur krizën e shkaktuar nga kjo ndërprerje e sezonit, në një kohë kur shteti shqiptar refuzon kategorikisht të ndihmojë financiarisht sportin në vend. Kjo ka sjellë edhe reagime të shumta, ku një numër i madh figurash të njohura i kanë dalë kundër kryeministrit Rama për këtë vendim aspak të drejtë.
Ndërkohë një thirrje për qeveritë që të ndihmojnë klubet e futbollit vjen edhe nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Ky i fundit ja dhënë një prononcim për emisionin “Fan Zone”, ku shprehet se shteti shqiptar duhet të financojë sportin, pasi ky është i vetmi që ne na bën krenar. Madje kreu i pankinës së Llapit thotë se nëse ndihma nga shteti nuk vjen, atëherë të kemi një ulje të nivelit të futbollit.
“Ne nuk është se kemi ndonjë fabrikë gjigante për t’u ndierë krenar. Shteti shqiptar dhe në Kosovë të ndihmojnë, pasi ne këtë sportin kemi që ndihemi krenar. Mos ti ulim pagat e lojtarëve dhe pastaj të futen edhe Federatat në ndihmë. Ministritë duhet të ndërhyjnë me patjetër për të ndihmuar, ndërsa nëse ne ulim pagat, atëherë do të ulim nivelin e futbollit dhe motivin e lojtarëve”, ka thënë Tahir Batatina./Sport Ekspres/