Shtëpia e re e Shqipërisë është bërë gati dhe të gjithë mezi presin që të fusin këmbët në të. Ëndrra do të bëhet realitet në përballjen ndaj Francës, për një nga arenat më të mira në Ballkan dhe Europë.
Ndërkohë përurimi i saj do të bëhet saktësisht para Kombëtares, në ndeshjen mes Apolonisë dhe Vllaznisë për femra. Në lidhje me këtë stadium ka folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Gjatë një interviste për “RTSH Sport” është shprehur:
“Ky është projekti më i mirë dhe më madhor i futbollit në Shqipëri. Vërtet ka qenë një ëndërr për mua. Sa herë që e shoh, më duket sikur e shoh ende si në ëndërr. Po është një gjë që e meriton tifozeria shqiptare, e meriton Kombëtarja e Shqipërisë.
E nisim përurimin me futbollin e femrave jo pa qëllim. Kjo pasi ka nisur vonë krahasimisht me vendet e tjera të Europës, megjithëse ka bërë hapa dhe është rritur në dy vitet e fundit. Ne e kemi një nga qëllimet kryesore përparimin e futbollit të femrave në Shqipëri. Ky ishte rasti më i mirë që t’i ftonim vajzat që të luanin futboll”, u shpreh Armand Duka. /Sport Ekspres/