Shqiptari mbron…shqiptarin! Agim Ibrahimi vendos “dorën në zjarr” te Maribori: Xhuliano Skuka është lojtari më i shpejtë që ka Sllovenia, mos i kërkoni atë që se ka

Xhuliano Skuka është duke kaluar një moment të vështirë në karrierë. Pasi përfundoi në stol te Metz dhe u largua si huazim me të drejtë blerje te Maribori, vështirësitë shihen edhe në Slloveni. Në ndeshjen e fundit miqësore, trajneri nuk e grumbulloi sulmuesin shqiptar pasi u shpreh që ka ende dificit nga ana fizike.

Por ish-lojtari i Mariborit, Agim Ibrahimi, ka dalë në një intervistë për mediat sllovene duke vendosur “dorën në zjarr” për Xhuliano Skukën. Ai tha fjalët më të mira për të, ndërsa nga ana tjetër këshillojë drejtuesit e klubit të Maribor sesi mund t’i marrin më të mirën këtij lojtari.

“Ai është sulmuesi më i shpejtë në ligën sllovene për momentin. Nuk i pëlqen të luajë me shpinë nga porta, më së shumti sulmon thellë dhe nëse kundërshtari nuk luan bunkerin klasik, por sulmon më lart, atëherë Xhuliano është jashtëzakonisht i rrezikshëm. Siç u tha, Skuka është shumë i shpejtë, gjatë gjithë kohës e kërkon topin në thellësi. Nëse Maribori di ta përdorë siç duhet, do të jetë një përforcim ‘top’.

Në ligën shqiptare, që është fizikisht shumë kërkuese, ku luajnë shumë fort, me shumë duele, shënoi shumë gola. E rëndësishme do të jetë që Maribor të përfitojë nga pikat e forta pa i kërkuar diçka që  nuk e ka. Skuadrat që do sulmojnë Mariborin, ato që do krijojnë shumë hapësirë mbrapa, atje dhe Skuka do të jetë më i miri.

Ai mund të dëshmojë veten në përballjet evropiane dhe në ndeshjet më të vështira të kampionatit slloven. Por e përsëris përsëri, njerëzit e Maribor do të duhet të përdorin gjithçka që ka Skuka. Ai nuk mund të luajë siç ka luajtur, le të themi, Marcos Tavares. Nuk mund ta ndalojë topin, të kthehet nga njëra anë në tjetrën. Nëse ti e vendos topin në hapësirë ose në këmbët e tij, reagon menjëherë me një goditje në portë”, tha Agim Ibrahimi për “Ekipa24”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *