Shqiptarët e Kosovës

Debatik Curri ka luajtur shumë pak në Shqipëri. Ai kishte dalë kampion me Prishtinën në 2004 dhe më pas pati një përvojë disa-javore te Besa e Kavajës. “Ky nuk është për këtu”, tha asokohe Xhati, presidenti. Curri shkoi në Ukrainë, por asokohe i duhej një transferim në Superligë, sepse klubet në Kosovë ishin ende të palicencuara dhe nuk mund të bënin transferta ndërkombëtare. Curri sot luan sërish për Prishtinën. Ai dhe Dallku janë yjet e skuadrës. Dallku gjithashtu ka dalë kampion para 14 vitesh me Prishtinën, por më pas bëri emër te Elbasani. Trajneri i tyre është Mirel Josa, pankina më e suksesshme e gjithë kohërave në Shqipëri. Prishtina gjendet në vendin e parë, ndërkohë që është dhe në gjysmëfinalen e Kupës. Në maj stadiumi në Prishtinë përfundon dhe ata duan që aty të festojnë dhe kampionatin dhe kupën.

Një kategori më poshtë në vend të parë është Kek-u, një skuadër e Prishtinës, praktikisht në Obiliç, periferi e kryeqytetit. Ata kanë një projekt ambicioz, janë një klub 100% privat dhe ka madje partneritet me kompani gjermane. Presidenti Arben Shahini pak para se të niste faza e dytë e kampioantit vendosi t’i besonte stolin Bledar Devollit. Për momentin Kek-u gjendet në vend të parë dhe pa asnjë diskutim është pretendentja kryesore për të shkuar në Superligë sezonin e ardhshëm. Kategoria e Parë në Kosovë është shumë agresive dhe lufta po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Kek-u është një klub që punon mbi baza logjike dhe pa efekte anësore. Të tjerët “e teprojnë”. 3 kartonë të kuq në 3 ndeshje rresht. Ndeshjen e fundit megjithëse me një lojtar më pak ata fituan 1-0. Goditën 3 herë shtyllën dhe patën 4 raste të pastra shënimi. Presidenti nuk kërkon vetëm fitoren. Ai kërkon mbi të gjitha të ndërtojë një klub. Mendohet që në 3-4 sezonet e ardhshme të investohen rreth 3-4 milionë euro në burime njerëzore dhe në infrastrukturë.

Disa javë më parë trajneri i Llapit, Batatina, nuk e administroi dot suksesin e merituar pas një fitoreje kundër Prishtinës. Ai në publik tha që trajnerët e ardhur nga Shqipëria shumë shpejt do kthehen në Shqipëri, madje me autobus. Ai u bëri thirrje trajnerëve nga Kosova që të mos shqetësohen, sepse shumë shpejt do rikthehen në vendet e tyre të punës. Javën e shkuar ai humbi 2-0 në Podujevë kundër Lirisë së Bledi Shkëmbit. Liria e kishte mundur madje dhe në ndeshjen e parë në Prizren 3-0. Në ndeshjen e fundit shënoi Domgjoni, i rritur te Tirana, shqiptar nga Kosova, dhe Magani, një sulmues që vjen nga Kategoria Suiperiore në Shqipëri dhe që deri tani ka shënuar 9 gola me peshë në Kosovë. I ati i Arturit, Gugash Magani, po trajnon kampionen në fuqi, Trepçën ‘89. Rezultatet nuk i ka pasur të shkëlqyera, por ama të gjithë i bëjnë komplimente për stilin e stërvitjes dhe për një metodikë të re që ka future në programe, sidomos ato taktike.

Batatina – për t’u rikthyer te trajneri i Llapit – refuzoi që pas ndeshjes t’i jepte dorën Shkëmbit, madje nuk doli as në konferencën për shtyp. Në përgjithësi opinioni në Kosovë ka qenë disi i zemëruar me deklaratat e tij. Shqipëria dhe Kosova janë një dhe ky farë lokalizmi i shfaqur në publik nuk i bën mirë tregut tonë të futbollit. Duhet ta ketë ndjerë gabimin, sepse fill pas asaj deklarate Llapi humbi 4 ndeshje rresht, duke humbur madje dhe vendin e parë. Gjithsesi, Llapi ka potencial për të bërë më mirë. Sulmuesi kryesor Mirlind Daku është 19 vjeç dhe kërkohet nga ekipet më të mira në Shqipëri. Ai kundër Prishtinës për Kupë shënoi një gol pothuajse nga gjysma  e fushës.

Në vend të dytë është Drita, një skuadër simpatike që luan një futboll argëtues. Shumica e lojtarëve në të shkuarën kanë luajtur në Superioren e Shqipërisë. Xhevdet Shabani është ylli i skuadrës, ndërkohë që Fazliu është një njohje e vjetër e Flamurtarit dhe Partizanit, pa harruar Haxhi Nezirajn, i Flamurtarit deri para pak javësh. Në sulm luan Kastriot Rexha, lojtar që Shpëtim Duro e afroi te Vllaznia në sezonin 2011-2012.

“Shqiptarë apo kosovarë” ka qenë në përgjithësi një temë e nxehtë në javët e fundit. Trajneri i Lirisë Shkëmbi akuzoi një pjesë të bordit drejtues se nuk kanë nivelin e duhur për të kuptuar se futbolli nuk ka pas pasaportë e as vendlindje. Ca më tepër, kur thuhet ‘pse na duhen shqiptarët, sepse kemi kosovarët’ çështja bëhet e ndjeshme dhe e kalon disi kuptimin sportiv. Gjithsesi, në Prizren u treguan të zgjuar dhe tanimë duket një histori e future në arkiv. Një foto bashkë mes drejtuesve dhe stafit ishte demonstrim i qartë i faktit që gjërat janë sheshuar. Dashuri ndoshta nuk ka, por sigurisht që ka shumë dëshirë për bashkëpunim.

Ata të cilët të parët i thyen akujt duke ndërtuar një ekip miks mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës ishte pikërisht liria. Meritë kryesore ka ish-presidenti Mirsad Çollaku, sot zëvendpresidenti i federatës së Kosovës. Pasi i besoi drejtimin Shkëmbit, ai menjëherë vendosi: do mundohemi që të heqim doganën. Ndihmësi i Shkëmbit është nga Prizreni, ndërkohë që në skuadër ka lojtarë nga Kosova që në të shkuarën kanë luajtur në Shqipëri. Domgjoni dhe Gavazaj për shembull kanë luajtur në Superiore, ndërkohë që në sulm luan madje dhe vëllai i Enis Gavazaj, Zeneli, një i ri i talentuar. Bakaj, pa asnjë diskutim portieri më i mirë i kampionatit kosovar, ka një përvojë të madhe, ndërkohë që Sefa, Vrapi, Basriu, Kote, Magani erdhën që në verë. Në janar erdhi dhe Kaja, edhe ai në nivele të larta në Shqipëri. Në skuadër luajnë dhe maqedonasi Koçev dhe afrikani Tungara, huazim nga Flamurtari. Ky i fundit dha një asist perfekt në fitoren e fundit. Ajo çka ra në sy ishte që skuadra ishte e bashkuar në momentin e debatit të madh Shqipëri-Kosovë. Kapiteni është Korenica një talent i madh 20-vjeçar, ndërkohë që lojtari i momentit është Mevlan Zeka, ai i cili pas golit të fitores kundër Ferronikelit shkoi dhe përqafoi tërë dashuri trajnerin e tij nga Korca.

Sezonin e shkuar kampion i Kategorisë së Parë doli Samuel Nikaj, tanimë gjithashtu në vend të parë me Kastriotin në Shqipëri në Kategori të Parë, ndërsa kampionatin vjet në Kosovë e fitoi Zekerija Ramadani, ish-trajneri i Flamurtarit, shqiptar nga Shkupi.

Mes investimeve, dëshirës për të luajtur sa më shumë në Europë, skuadrave dhe buxheteve të konsiderueshme, dalëngadalë Kosova po bëhet si Superiorja e Shqipërisë. Vendi ku bashkohen gjithë shqiptarët, ngado qofshin ata. Përveç deklaratave absurde të Batatinës, e vetmja gjë që bezdis në gjithë këtë është dogana e Morinës. Të kalosh nga Shqipëria në Shqipëri dhe të dorëzosh pasaportën është e turpshme. Herët a vonë kufiri nuk do ekzistojë më. Njësoj si futbolli.

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online